24 vjet nga rënia e monumentit, Minxhozi: Shqipëria larg pritshmërive

20/02/2015 00:00

Për të folur më shumë për situatën politike në vend, që nga rënia e monumentit të diktatorit Enver Hoxha e deri më sot, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë i ftuar analisti Skënder Minxhozi, kryeredaktor i së përjavshmes “Java”.

Zoti Minxhozi, ju keni qenë ndër studentët protagonistë të ngjarjeve të shkurtit 1991. 24 vjet nga rënia e monumentit të Enver Hoxhës, ku ndodhet Shqipëria sot në krahasim me idealet dhe sa ka ndryshuar politika shqiptare e viteve të para të pluralizmit?

Skënder Minxhozi: Sot është një ditë e veçantë, sepse përkujtohet rënia de fakto e komunizmit, ndonëse pas takimit të dhjetorit mes studentëve dhe nomenklaturës së asaj kohe. Rënia e monumentit do të zyrtarizonte ditën e rrëzimit të regjimit. Sot është rasti klasik i asaj gotës gjysmëplot apo gjysmëbosh. Jam i bindur se sot ka shumë zhgënjim. Kam përshtypjen se ai hov historik që ndodhi atë ditë u ndesh me cinizmin e viteve të tranzicionit. Shoqëria shqiptare kreu një veprim historik e emancipues, por gjërat nuk janë aty ku duhet.

Kjo javë ka shënuar vijimin e përplasjes president-qeveri, ose më saktë, daljen në sipërfaqe në të gjitha detajet të konfliktit mes Nishanit dhe Ramës…

Skënder Minxhozi: Fakti që ne kemi sot një jetë institucionale kaq të brishtë, ku përfshihet edhe zoti Nishani edhe institucione të tjera, është tregues i tranzicionit të kaluar, për të vijuar përgjigjen për pyetjen e parë. Ndërsa në optikën e mosdekretimit të ambasadorëve, rasti përfundoi me deklarata të skajshme, sidomos nga kreu i shtetit që kam përshtypjen se nuk e ka kuptuar ende rolin e tij. Ai tha se, do sillem me Ramën siç Rama sillet me mua. Ai nuk është as Rama e as Berisha, por përfaqësues institucioni. Logjika është që palët të sherrosen mes tyre. Presidenti nuk e ka këtë lloj luksi. Nuk e kuptoj pse duhet të zbresë në këtë lojë. Ai del në mënyrë të papritur dhe telefonatat që ka bërë me kryeministrin i tregon në emisione televizive. Kjo tregon se Nishani është vetëm një lojtar politik.

Këtë javë, me daljet në publik dhe ndërhyrjet në Kuvend ka qenë sërish ish-kryeministri Berisha protagonist i opozitës, me sulme ndaj mazhorancës, por edhe me kritika ndaj kryetarit Basha. A tregon kjo se është sërish ai që i jep tonin opozitës?

Skënder Minxhozi: Unë gjithmonë kam besuar se tranzicioni post-Berisha do të jetë i fortë dhe nervor për Partinë Demokratike dhe strukturat e saj. Basha përbën një fyerje kaq të madhe të partisë, sa mendoj se ajo jo vetëm nuk e ka asimiluar figurën e tij, por figura e zotit Basha, që është kryetar bashkie dhe njëkohësisht jashtë Parlamentit, e bëjnë atë një lider të dobët, mungesën e të cilit në mënyrë të pashmangshme Berisha nuk ngurron ta përmbushë. Këtë javë zoti Berisha krijoi një konflikt që dukej si i vjetër në histori, një retrospektivë para 18 vjetësh. Duke cilësuar një ngjarje si pasion politik, duke cënuar intervistat e kryeministrit Rama në mediat italiane. Pra, ishte një taktikë e tij kundër Ramës.

Çfarë titulli do t’i vinit kësaj jave, duke parë dhe si dhe ku janë fokusuar më shumë mediat?

Skënder Minxhozi: Një javë shqiptare, sepse i kishte të gjitha të dhënat. Kishte sherre, ish-kryeministrin që s’mungon kurrë dhe kryeministrin që nuk ngurroi të fliste për gazetarët edhe jashtë Tiranës.

Top Channel