Tiranë, pranga për trafik droge efektivit të policisë

20/02/2015 00:00

Një efektiv policie i patrullës së përgjithshme të komisariatit numër 6 në kryeqytet është arrestuar pasditen e së premtes nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, nën akuzën e trafikut të drogës.

Burime zyrtare nga SHKB bëjnë të ditur se efektivit Hamez Demushi i janë gjetur në banesë një sasi prej 3.6 kg lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe gjysmë kilogram e dyshuar si heroinë.

Sipas burimeve, ndaj efektivit të policisë kishin nisur hetimet prej disa muajsh, pasi kishte informacione për përfshirjen e tij në rrjetin e trafikimit të lëndëve narkotike.

Pas mbajtjes nën kontroll për disa kohë dhe vërtetimit të dyshimeve, pasditen e së premtes është bërë ndalimi i tij dhe sekuestrimi i drogës.

Nga hetimet rezulton se ky punonjës policie, në bashkëpunim me persona të tjerë, në kohë dhe vende të ndryshme ka trafikuar në drejtim të Kosovës lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.

Ndërkaq, po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku.

Top Channel