Ulet numri i personave të prekur nga Ebola, Liberia rihap kufijtë

20/02/2015 00:00

Kontinenti afrikan ndodhet në një situatë fare të pakëndshme, në njërën anë militantë e ISIS, të cilët së fundi zgjeruan territorin edhe në Libi, në anën tjetër rebelët e Boko Haram kanë ekzekutuar thuajse çdo ditë me dhjetëra e qindra persona, ndërsa një situatë tejet shqetësuese u krijua nga virusi i Ebolas në shtetet perëndimore të kontinentit.

Por një lajm i mirë ka ardhur të premten nga Liberia, ku presidenti i këtij shteti deklaroi se numri i të prekurve nga virusi vdekjeprurës është reduktuar ndjeshëm dhe ka vendosur të rihapë kufijtë, të cilët qëndronin të mbyllur prej muajsh prej rrezikut të përhapjes së virusit.

Presidenti Ellen Johnson Sirleaf e bëri njoftimin të premten, duke shtuar se përmirësimi i situatës solli dhe heqjen e ndalim-qarkullimit në mbarë vendin.

Përhapja e sëmundjes ka rënë thuajse në një të dhjetën e periudhës kur ajo ishte në kulmin e saj. Dr. Bruce Aylward, një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se infeksioni është në rënie dhe situata po përmirësohet.

Më shumë se 9300 persona kanë vdekur që nga shpërthimi i virusit në fillim të vitit të kaluar. Megjithatë, Liberia, Guinea dhe Sierra Leone janë zotuar për të ulur në zero infeksionet në dy muajt e ardhshëm.

Liberia ishte më e goditura nga virusi, por javën e fundit situatë është përmirësuar dhe ka pasur vetëm dy raste të reja, ndërsa në Sierra Leone ishin 74 të prekur dhe në Guine 52 persona.

Presidenti i Liberisë, Johnson Sirleaf tha se rreziku u përhapjes së sëmundjes jashtë vendit është shumë i vogël dhe ditën e diel kufijtë do të rihapen.

Kufijtë e këtij shteti qëndronin të mbyllur që prej vitit të kaluar, pas gjendjes së jashtëzakonshme. Në javën e fundit autoritetet njoftuan edhe rihapjen e shkollave për të ndihmuar vendin që të kthehet në normalitet.

Top Channel