Gjykata Speciale që do të hetojë UÇK-në, përcaktohet struktura dhe axhenda

21/02/2015 00:00

Ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë, i cili  po merret me krijimin e Gjykatës Speciale që do të gjykojë krimet e pretenduara të kryera nga UÇK, ka prezantuar në Prishtinë edhe axhendën e aktiviteteve të para të Gjykatës dhe organogramin e saj, por ato nuk bëhen publike.

Top Channel ka mësuar nga burime brenda procesit edhe strukturën e parë të gjyqtarëve që do të merren me aktakuzat e para.
 
Sipas organogramit që e ka parë Top Channel, menjëherë pas formimit të Gjykatës ajo do themelojë pesë panele gjyqtarësh, ku secili panel do t’i ketë nga tre gjykatës.
 
Këto pesë panele pritet të gjykojnë në të njëjtën kohë pesë aktakuzat e para që do të ngrihen ndaj ish-zyrtarëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në secilën prej pesë aktakuzave të para mund të ketë nga më shumë se një të akuzuar.  
 
Sipas të njëjtave burime, sapo aktakuzat të bëhen publike, të akuzuarit do të arrestohen dhe do të largohen nga Kosova për t’u mbajtur në paraburgim gjatë gjithë procesit gjyqësor.
 
Deri në formimin e Gjykatës, ekipi përgatitor parashikon dy skenarë. I pari parasheh që Kuvendi i Kosovës të miratojë së pari ndryshimet Kushtetuese për të mundësuar formimin e një Gjykate të tillë.
 
Më pas do të duhet një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar nga Kuvendet e Kosovës dhe Holandës, ku parashihet që Gjykata të vendoset në shtetin holandez. Më pas vjen edhe miratimi i ligjit për Gjykatën.
 
Për ndryshimet kushtetuese dhe për marrëveshjen me Holandën, Kuvendi duhet të votojë me dy të tretat e votave të deputetëve.
 
Por në rast se Kosova dështon ta bëjë këtë Gjykatë përmes Kuvendit, ekipi ndërkombëtar ka paralajmëruar formimin e Gjykatës Speciale përmes Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
 
Madje, ata kanë përmendur në Prishtinë se kjo gjë mund të ndodhë në seancën e Këshillit të Sigurimit në pjesën e dytë të muajit prill. Në rast se kjo do të ndodhë, atëherë Gjykata Speciale pritet të quhet Tribunal Ndërkombëtar, i cili bazohet në Rezolutën 1244 të OKB-së, e që do të nënkuptonte kontestim të shtetësisë së Kosovës.

Top Channel