Pse kundërshtohet dokumenti i BE-së për hetimin e UÇK-së?

21/02/2015 00:00

Mbërritja e dokumentit konfidencial të Bashkimit Europian për krijimin e Gjykatës Speciale në Kosovë është shoqëruar me një sërë debatesh e polemikash.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për përmbajtjen e këtij dokumenti.

Pandi Gjata: Çfarë përmban dokumenti konfidencial?

Glauk Konjufca: Ky është një dokument konfidencial i kategorizuar si i tillë nga Ministria e Drejtësisë, e cila ia dorëzoi si dokument udhëheqëses së Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, pozicion të cilin e mban VV në Kuvend. Albulena Haxhiu, deputete e VV, udhëheq këtë komision të rëndësishëm. Pa kaluar në këtë komision asnjë propozim nuk mund të kthehet në ligj. Komisioni për Legjislacion është njëri prej katër komisioneve më të rëndësishme në Kuvendin e Kosovës. Pasi kemi marrë dokumentin e para që kemi bërë ka qenë transparenca, duke bërë atë publik.

Pandi Gjata: Cilat janë pikat që ju kundërshtoni në këtë dokument?

Glauk Konjufca: Në kapitullin e parë të kësaj gjykate thuhet se ajo po krijohet me qëllim të vetëm për të hetuar të gjitha ato krime të pretenduara se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të cilat janë të renditura në një raport famëkeq, atë të Dick Marty-t. Kjo çështje është çuar përpara në Këshillin e Europës nga Rusia, e cila është anëtare. Më pas kjo çështje është marrë nga Dick Marty, i cili në fund të dhjetorit të vitit 2010 prezantoi një raport, i cili fatkeqësisht një muaj më pas në Këshillin e Europës  miratohet si rezolutë zyrtare. Rusia dhe Serbia kanë ushtruar presion në KS të OKB dhe më pas edhe miqtë tanë që e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës janë dorëzuar para kësaj trysnie dhe marrin pozicionin që më mirë do të ishte të krijohej një gjykatë.

Pandi Gjata: Dhe çfarë nuk funksionon në këtë draft të BE-së?

Glauk Konjufca: Nuk dua të ndalem në pjesë të veçanta, por te vetë fakti politik i papranueshëm që 15 vite pas çlirimit të Kosovës na krijohet një gjykatë për kriminalizimin e anës, e cila sipas mendimit tonë, ka qenë ana e drejtë e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe të Kombit shqiptar në përgjithësi. Lufta në 98-99-ën nuk ka asnjë fije dyshimi që populli i Kosovës ishte në anën e popullit të pushtuar. Në çdo luftë mund të ketë pasur edhe parregullsi të ndryshme, por nuk ka fije dyshimi që Serbia ka ushtrua genocid dhe ishte pushtuesi, ndërsa populli i Kosovës ishte ai që u mbrojt me të gjitha forcat e tij nëpërmjet një lufte të udhëhequr nga UÇK.

Pandi Gjata: Kjo është e gjithë pjesa politike…

Glauk Konjufca:  Dhe tani ngrihet një gjykatë për të hetuar krimet e pretenduara të shqiptarëve dhe jo krimet e kryera nga Serbia. Kjo është e papranueshme, e pafalshme dhe e patolerueshme. Në Serbi shefi i ushtrisë është Ljubisa Dikovic, i cili me fakte shumë të qarta ka qenë njeriu që ka udhëhequr ekspeditën famëkeqe për dëbimin e shqiptarëve, për vrasjen e civilëve të pafajshëm gjatë viteve 98-99. Ky njeri është edhe sot udhëheqës i ushtrisë serbe dhe për të nuk ka asnjë padi. Dhe tani hidhen dyshime se rreth 200 apo 300 serbë paskan përfunduar në disa kampe shumë të dyshimta dhe të mjegullta në territorin e Shqipërisë. Të mos harrojmë se kjo si lëndë është e dëmshme për shkak se e implikon në përgjithësi edhe shtetin shqiptar edhe ju jeni po aq të prekur dhe duhet ta kundërshtoni këtë gjykatë. Unë nuk pajtohem me interpretimeve të disa zyrtarëve se kjo gjykatë do të na pastroi emrin. Nëse çështja do të ishte kështu, atëherë ne do të krijonim gjykata çdo javë për të pastruar emrin. Ky është një sukses i ndërmarrjes diplomatike ruse dhe serbe dhe një dështim i joni.

Pandi Gjata: Dukesh i rezervuar për të na dhënë detaje të draftit të mbërritur nga Brukseli për sa kohë ai është konfidencial…

Glauk Konjufca: Jo, përkundrazi unë mund të jap shumë hollësi. Më e rëndësishmja si përmbajtje brenda këtij dokumenti me 44 faqe është fakti që po na krijohet një gjykatë, e cila është tërësisht jashtë sistemit aktual të Kosovës. Sistemi i kësaj gjykate do të funksionojë krejtësisht jashtë juridiksionit të Kosovës, ndonëse do të miratohet nga Kuvendi i Kosovës. Për nga statusi që do të ketë kjo gjykatë, unë e konsideroj të njëjtë me statusin e EULEX-it. Ky sistem i krijuar nuk jep llogari ndaj institucioneve të Kosovës, sistemi i gjyqtarëve dhe i prokurorëve do të jenë të huajë.  Sipas të gjitha gjasave edhe selia nuk do të jetë në Kosovë, ndoshta në Holandë. Mbledhja e fakteve, prezantimi i tyre, krijimi i proceseve gjyqësore, prokurorinë, ndëshkimin, të gjitha këto çështje do të jenë plotësisht në kompetencë të kësaj gjykate, e cila funksionon tërësisht e ndarë nga sistemi ynë gjyqësor. Kjo gjykatë paraqet rrënimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor të pavarur të Kosovës .

Pandi Gjata: Për krijimin e Gjykatës Speciale të Kosovës po flitet prej muajsh , tashmë që ka mbërritur drafti, debati është bërë më i nxehtë. Krijimi i kësaj gjykate është pranuar nga PDK-ja, e cila është në pushtet dhe është pasuesja e UÇK-së dhe ka një kontradiktë në faktin që sot ‘luftën e saj e ka marrë për ta mbrojtur’ Vetëvendosja. Cilat janë format për ta bllokuar krijimin e kësaj gjykate?

Glauk Konjufca:
Dy subjektet më të mëdha politike kanë bërë shumë gabim që e kanë pranuar themelimin e një gjykate të tillë. Duhet të kishim qenë më shumë vigjilentë më herët. Këto dy subjekte kanë qenë vazhdimisht në pushtet herë njërën e herë tjetra dhe të dyja bashkë prej 2001-shit. Këto dy subjekte janë përgjegjëset kryesore për ardhjen e një gjykate të tillë dhe për persekutimin e UÇK në vend që të persekutohej Serbia. Por këta janë një garniturë e politikanëve që për të mbetur në pushtet janë duke i tregtuar vlerat tona më të shtrenjta shtetërore dhe kombëtare.

Top Channel