Rusët në shesh për 1-vjetorin e ‘grushtit’ në Ukrainë

21/02/2015 00:00

Një ditë më parë ukrainasit përkujtuan në sheshin qendror të Kievit, “Maidan” përvjetorin e parë të protestave dhe ditën më të dhunshme të tyre, ku të paktën 100 persona gjetën vdekjen, kryesisht nga plumba të qëlluar nga snajperë.

Në fjalën e tij, Presidenti Poroshenko akuzoi Moskën për vrasjet e një viti më parë. Një prej ndihmësve më të lartë të Kremlinit, Vladislav Surkov, ishte organizator i të shtënave me snajper, pretendon Poroshenko. Një deklaratë, ndaj së cilës qeveria ruse ka reaguar menjëherë duke e hedhur poshtë e duke e quajtur “të pakuptimtë”.

Në kundërpërgjigje të përkujtimores në Kiev, qindra mbështetës të qeverisë dhe simpatizantë të Putin dolën në protesta ditën e shtunë për të përkujtuar përvjetorin e parë të asaj që e quajnë “grusht shteti në Ukrainë” me moton “ne nuk harrojmë, ne nuk falim”.

Mëngjesin e 20 shkurtit të një viti më parë, Sheshi Maidan, i shndërruar në simbol të protestës kundër presidentit të atëhershëm ukrainas, Viktor Yanukovych ishte i ndarë në dy pjesë; nga njëra anë protestuesit e opozitës dhe në anën tjetër forcat e sigurisë.

Kjo situatë vazhdonte prej dy muajsh, por pikërisht këtë ditë ngjarjet do të merrnin një tjetër rrjedhë. 20 shkurti 2014 është dita më e përgjakshme në historinë moderne të Ukrainës, që u mbyll me 50 protestues dhe 3 policë të vdekur.

Këto ngjarje larguan nga pushteti presidentin pro-rus, Viktor Yanukovych dhe sollën qeverinë e re.

Top Channel