Brenda ditës së hënë, Greqia duhet të paraqesë në tryezën e huadhënësve ndërkombëtarë planin e reformave që ka ndërmend të ndërmarrë sipas marrëveshjes së zgjatjes së borxhit me katër muaj të tjerë të nënshkruar ditën e premte.

Propozimet duhet të kënaqin vendet e Eurozonës dhe Fondin Monetar Ndërkombëtarë në mënyrë që këta të fundit të japin miratimin për zgjatjen e planit të shpëtimit edhe me katër muaj të tjerë.

Të shtunën, Kryeministri Alexis Tsipras e cilësoi marrëveshjen një hap përpara, duke shtuar se vështirësitë e vërteta qendrojnë përpara.

“Fituam një betejë, por jo luftën”, deklaroi ai.

Megjithatë se kush doli i fituar dhe kush humbi nga marrëveshja e së premtes, kjo ha debat. Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble, ‘kundërshtari’ më i ashpër i Athinës sa i përket politikave fiskale tha se qeveria e majtë greke ka një detyrë të vështirë përpara për t’u shpjeguar votuesve se për çfarë u ra dakort.

Në planin fillestar të qeverisë së radikalëve të majtë kërkohet ruajtja e 70 përqind të masave aktuale dhe ndryshimi i 30 përqind të tyre, që i konsiderojnë si mbytëse për shoqërinë dhe ekonominë vendase.

Ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem, shef i Eurogrupit, ka deklaruar se Greqia ka përsëritur angazhimin e saj për të respektuar të gjithë borxhin dhe detyrimet që rrjedhin prej tij në përputhje me afatet e parashikuara.

Marrëveshja largon rrezikun e menjëhershëm që Greqia të mbetet pa para muajin e ardhshëm. Para fillimit të takimit të Eurogrupit u zhvilluan negociata të veçanta mes përfaqësuesve të Athinës dhe Gjermanisë, që kundërshtuan letër-kerkesën greke për zgjatjen gjashtëmujore të programit të huasë, me ndërmjetësimin e Diijselblom.

Më herët kryeministri Tsipras i kishte telefonuar presidentit të BE-së, Donald Tusk duke i deklaruar se, nëse nuk do të arrihej sot një rezultat pozitiv për Greqinë, ai do të kërkonte një samit të jashtëzakonshëm të BE të dielën në mbrëmje.

Top Channel