Emigrimi, Thaçi: Shifrat po ulen

21/02/2015 00:00

Në një intervistë për gazetën gjermane Bild, zv/Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se fenomeni i emigrimit është një sfidë, por se numri i të larguarve ka filluar të ulet.

Thaçi theksoi se Kosova pati një numër më të vogël të emigrantëve se sa Serbia apo Shqipëria më 2014, por në fillim të këtij viti është përhapur, sipas tij, një valë e pashembullt e thashethemeve se Gjermania po u jep leje pune emigrantëve. Sipas tij këto janë veçse spekulime.

Ai tha se Kosova e ka të vështirë të vazhdojë me përpjekjet për arritjen e standardeve të BE-së dhe për përmbushjen e axhendës europiane në kohën kur Brukseli e ka lënë Kosovës si shtetin e vetëm në Europën Juglindore, ku qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza.

Edhe diplomatët e Kosovës në vendet e BE-së kanë apeluar në mediat e vendeve ku ata janë të akredituar. Ambasadori i Kosovës, Naim Malaj tha në televizionin publik zviceran se është e dhimbshme të shohësh të rinjtë të cilët bien në kurthin e thashethemeve të elementeve mafioze, duke shpresuar që në Europë do të gjejnë një jetë më të mirë.

Por sipas ambasadorit Malaj, pasi përballen me realitetin ata zhgënjehen dhe pjesa më madhe e tyre ka filluar të kthehet në Kosovë. Ai tha se njerëzit e kanë kuptuar që në Zvicër nuk ka asnjë shkak për të paraqitur një kërkesë për azil, ndaj i apeloi të gjithë shqiptarëve që jetojnë atje për të informuar familjarët e tyre në Kosovë me qëllim që të mos bien pre e mashtrimeve.

Top Channel