PD: Vetëvritet 56-vjecari, u mbifaturua nga OSHEE. Reagon kompania

21/02/2015 00:00

Partia Demokratike, me anë të deputetes Valbona Mezini denoncoi këtë të
shtunë, një ngjarje të ndodhur në Vlorë, ku një 56-vjeçar i dha fund
jetës, pasi sipas PD, shkak ishte mbifaturimi i energjisë elektrike dhe
pamundësia për ta paguar atë.

“Llazi Nasi, baba i tre vajzave, i ka dhënë fund jetës, pasi OSHEE e njerëzit e saj e kishin futur në një rrugë pa dalje, duke e mbifaturuar me shuma të papërballueshme për të. Familjarët e viktimës dëshmojnë se ai ishte ankuar disa herë për faturën e padrejtë, 10  herë më të lartë se sa shënonte matësi”, thuhet në reagimin e PD-së.

Partia Demokratike akuzon OSHEE-në dhe qeverinë për plagën e madhe sociale, që sipas saj, po krijojnë.

“Pothuajse cdo ditë raportohen akte dëshpërimi të qytetarëve përballë kësaj sjellje antihumane të qeverisë dhe OSHEE, që nuk kanë sy të shohin e vesh të dëgjojnë.Ata nuk po u lënë qytetarëve asnjë zgjidhje tjetër përpos errësirës e burgut. Dhe për fat të keq, e gjitha kjo po merr dhe jetë njerëzish.56-vjeçari u vetëflijua, duke lënë një akuzë të fortë e të drejtpërdrejtë për Edi Ramën dhe OSHEE-në e keqbërësve të tij”, thuhet në reagim.

Vetëm disa orë më vonë erdhi edhe reagimi i OSHEE-së, ku thuhej se i ndjeri kishte lidhur kontratë për të paguar me këste mujore detyrimet e prapambetura dhe se pretendimi se faturimi për të ndjerin ishte shumëfish i vlerave normale është i pabazuar dhe i pavërtetë.

Top Channel