Sa është numri i xhihadistëve të ISIS-it?

21/02/2015 00:00

Askush nuk e merr me mend se sa i madh është grupi terrorist ISIS. Kështu tregon një raport zyrtar i inteligjencës amerikane. Cili është numri i vërtetë I luftëtareve aktivë të Kalifatit?

Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë ka aludime për këtë çështje, por sipas tyre një gjë është e sigurtë, xhihadistët janë shtuar rrufeshëm.

Vlerësimi i CIA-s, në muajin gusht flet për një numër rreth 10 mijë deri 20 mijë luftëtarë, por shifrat e fundit tregojnë se ky numër është katërfishuar. Nga vëzhgimet e shërbimit rus të inteligjencës, thuhet se 70 mijë luftëtarë janë kthyer në kërcënim për sulme terroriste, ndërsa ekspertë të sigurisë në Bagdad pohojnë se ky numër fatkeqësisht po kap shifrën e 100 mijë militantëve të cilët i bëjnë stërvitje intensive ushtarake edhe fëmijëve.

Por teksa ISIS vazhdon të kërkojë që të rrisë sferën e veprimit në Lindjen e Mesme duke marrë sërish nën kontroll qytetin e Mosulit, duket se lufta e brendshme mes xhihadistëve po dëmton strategjinë e tyre.

Disa militantë kanë vrarë pjesëtarë të grupit të tyre, pas dyshimeve se janë spiunë të forcave ndërkombëtare. Në kushte anonimiteti një xhihadist pranoi se krerët e kalifatit po përjetojnë një konflikt të brendshëm dhe orë të tëra të ditës i kalojnë duke u injektuar xhihadistëve frymën e bashkëpunimit, në kohën kur luftëtarë të rinj janë në tentativë për t’u bashkuar me ISIS, së fundmi tre vajza adoleshente nga  Britania, përkatësisht 15 dhe 16 vjeç janë larguar në Lindjen e Mesme.

Kombinimi i sulmeve ajrore të ndërkombëtarëve, forcave të ushtrive vendase, milicisë Shiite dhe kurdëve në Lindjen e Mesme bën që numri i xhihadistëve të ISIS të ndryshojë nga momenti në moment pasi bien pre e bombardimeve.

Top Channel