Meta në Pustec: Do zgjedhim kandidatët më të mirë

21/02/2015 00:00

Kryetari i Parlamentit, Ilir Meta ka zgjedhur që këtë fundjave të zhvillojë një takim në komunën e Pustecit, e cila me ndryshimet e hartës territoriale do të jetë një bashki për shkak të minoritetit maqedonas që jeton atje.

I pyetur për deklaratat lidhur me zgjedhjen e përbashkët të kandidatëve, Meta tha se përkatësia partiake kalon në plan të dytë, pasi kryesore është përzgjedhja e kandidatëve të përshtatshëm, që do t’u shërbejnë qytetarëve dhe komunitetit.

“Jam i bindur se kjo bashki e re ka nevojë jo vetëm për t’u quajtur e tillë, por edhe për t’u përgatitur më mirë, për t’i ofruar shërbime më cilësore komunitetit këtu. Për këtë biseduam me kryetarin dhe stafin e tij, që na parashtroi disa probleme shqetësuese në drejtim të arsimimit këtu, për mungesën e teksteve në gjuhën maqedonase për shkak të problemeve burokratike, apo për kushtet e mësimdhënies. Por besoj se do të ndërhyhet për të krijuar kushte shumë të mira e të denja”, deklaroi Meta.

Ndërkohë, Meta theksoi se dera mbetet e hapur edhe për përfaqësues që mund të kandidojnë nga radhët e shoqërisë civile, e cila ka pasur vazhdimisht një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e problemeve vendore.

Lidhur me rastet e publikuara së fundmi për dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve nga uniformat blu, Meta tha se ato nuk duhet të dëmtojnë besueshmërinë e qytetarëve tek policia, ndërsa shprehu bindjen se do të meren masat e duhura.

Top Channel