Ristani: Policia, luftë me qytetarët dhe paqe me kriminelët

21/02/2015 00:00

Duke iu referuar ngjarjeve të fundit në Korçë dhe në Kavajë, Partia Demokratike deklaroi se opinioni publik e ka parë se kjo nuk është policia që i duhet vendit. Sekretari i përgjithshëm Arben Ristani tha se policia bën luftë me qytetarët dhe paqe me kriminelët.

“Policia poshtëron një të ri, duke e rrahur në mes të qytetit të Korçës, vetëm se ka gërvishur makinën e nëndrejtorit të policisë. Nga ana tjetër, maskat po godasin çdo ditë, duke e kthyer grabitjen me armë në një ritual.

Policia dhunon barbarisht një të ri në Kavajë duke e goditur me shkelm në fytyrë teksa mbahet i lidhur, ndërkohë që oficerë të forcave operacionale dhe shefat e tyre janë të përfshirë në trafik kokaine dhe heroine.

Sot janë shoqëruar me dhunë në komisariat banorë të Kamzës që protestojnë se po jetojnë në errësirë prej muajsh, për shkak të represionit të qeverisë.

Nga ana tjetër, policia ende nuk ka ndaluar asnjë prej grabitësve të 10 ditëve të fundit, të bankës, të biznesit në autostradë, të grabitjes në Vlorë, të grabitjes në Shkodër, të grabitjes në Kamëz, të grabitjes në Korçë.

Luftë me qytetarët, paqe me kriminelët. Peshku është qelbur nga koka dhe nga koka duhet të nisë largimi i së keqes”, deklaroi Ristani.

Top Channel