Ukraina nuk gjen paqe, vazhdojnë luftimet në lindje

21/02/2015 00:00

Duket se marrëveshja e armëpushimit mes Ukrainës dhe Rusisë nuk ka asnjë peshë. Kjo, pasi konflikti në lindje të vendit vazhdon të përshkallëzohet. Qyteti strategjik i Debaltsevit përshkruhet të jetë në një gjendje shoku.

Dita e shtunë për qeverinë e Kievit shënon edhe plot 1 vit nga nisja e sulmeve të para ndërmjet policisë dhe protestuesve, të cilat rrëzuan ish-presidentin Viktor Yanukovich.

Këto trazira i hapën rrugë edhe destabilitetit të vendit, me rebelët pro-rusë që përfituan nga rasti për të zbarkuar ushtarakisht në zonën e Krimesë dhe për të mundësuar më pas aneksimin e saj nga Rusia.

Që prej asaj kohe e deri tani, qeveria e Kievit dhe ajo e Moskës kanë adresuar akuza ndaj njëra-tjetrës se kush nga vendet është fajtori për konfliktin.

Edhe pas marrëveshjes së Minkut, zëdhënës të ushtrisë ukrainase pohojnë se Rusia, jo vetëm që nuk i ka tërhequr armatimet e rënda nga fronti i luftës, por ka dërguar të reja.

Kjo lidhet me faktin se Rusia vazhdon të jetë prodhuesja më e madhe e armëve, ku sipas ekspertëve, edhe pse situata ekonomike e saj është në ngërç, sektori i armatimit është burimi kryesor i të ardhurave.

Ndaj, për t’i paraprirë këtij hovi luftarak, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Francois Hollande i bënë thirrje Rusisë që të zmbrapset nga kjo rrugë që ka nisur, pasi vendi rrezikon sanksione të tjera.

Ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zëdhënësit e Uashingtonit zyrtar bëjnë të ditur se, nëse ky konflikt do vazhdojë të përshkallëzohet, nuk do jetë një çështje destabiliteti sigurie që i përket vetëm pjesës lindore të Europës, por një rrezik për gjithë globin.

Top Channel