“Racistët, një racë e keqe”, Seedorf: Qeveritë të ndërhyjnë! Diversiteti i ndihmon të rinjtë

22/02/2015 00:00

“Italia po përjeton një periudhë ndryshimesh. Herët apo vonë, duhet pranuar se pas 20 vitesh Italia do të jetë një vend si Holanda, Franca apo Gjermania, për shkak se po bëhet multietnike. Besoj se kjo është diçka shumë pozitive. Italia ka treguar se u jep një mirëpritje të ngrohte kujtdo që vjen nga jashtë. Racizmi në fushat e blerta? Ekziston dhe kam qenë edhe pre e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nuk dua të flas për botën aktuale, më pëlqen të flas për botën ku do të doja të jetoja dhe të cilën do të doja ta shikoja”.

Kështu është shprehur Clarence Seedorf gjatë prezantimit të një nisme “Racistët? Një racë e keqe”, që është mbajtur në “Pallatin e Vjetër” të Firences. Në këtë event, përpara një auditori të mbushur me fëmijë shkollash, përveç ish-mesfushorit dhe trajnerit të Milanit, kanë marrë pjesë edhe sulmuesi i Fiorentinës, Babacar, presidentja e Komisionit për Integrimin dhe Luftën kundër Racizmit, Fiona May, reperi HI-NRG, zv.drejtori i “Gazzetta dello Sport”, Andrea Di Caro, si dhe drejtori i “Guerin Sportivo”, Matteo Marani.

“Diversiviteti e forcon më shumë një grup njerëzish apo një vend – ka shpjeguar Seedorf. – Në këtë moment krize, që na ka ndihmuar të kuptojmë shumë gjëra, brezat e rinj duhet të mësojnë sesi të dizenjojnë botën që duan ata, jo atë që kemi krijuar ne për ata. Ne duhet t’u krijojmë kushtet, që nëpër stadiume apo nëpër shkolla, të rinjtë të kuptojmë më mirë dhe të përjetojnë pa probleme jetesën në diversitet. Ka veprime të shumta në këtë drejtim. Racizmi është kudo, gjendet edhe në Holandë, por këtu duhet të ndërhyjnë qeveritë madje në mënyrë të ashpër ndaj racistëve, ndërsa ne duhet të përpiqemi të punojmë që të rinjtë t’i mbajmë të çlirët dhe të pastër në mendime, në lidhje me të ardhmen”, ka shtuar më tej Seedorf.

Top Channel