Pengmarrja në kafenenë e Sidnejit, 18 telefonata përpara sulmit të Monis

22/02/2015 00:00

Linja telefonike për sigurinë në Australi kishte rënë plot 18 herë nga telefonatat e disa raportuesve mbi një klerik të vetëshpallur të tillë, vetëm pak ditë përpara se të ndodhte sulmi terrorist vdekjeprurës në kafenenë e Sidnejit, por asnjëra prej tyre nuk të udhëhiqte drejt një sulmi të pashmangshëm.

Ky është rezultati i një raporti të publikuar pas hetimeve të para zyrtare ndaj sulmit në “Lindt cafe”, që bën të ditur gjithashtu se telefonatat kishin më shumë të bënin me postimet agresive në Facebook të pengmarrësit Man Haron Monis.

Dy pengje humbën jetën, së bashku me pengmarrësin, gjatë mësymjes së dhjetorit nga forcat speciale australiane. “Me keqardhje duhet të pranojmë se sistemi ynë çaloi”, tha kryeministri Tony Abbott.

Abbott, i cili do të japë edhe një konferencë për sigurinë kombëtare gjatë së hënës, tha se do t’i duhet të konsiderojë shumë ndryshime në sistemin ligjor dhe atë të emigracionit, në shenjë kundërpërgjigjeje të këtij dështimi.

Ai shtoi gjithashtu se Australia do të duhet të rikonsiderojë edhe kufirin mes lirive individuale dhe sigurisë së komunitetit, një kufi që me siguri do të duhet të ndryshojë”. “Ai monstër nuk duhej të ishte pjesë e komunitetit tonë”, shtoi ai.

Komentet e Abbot erdhën gjatë publikimit të raportit prej 90 faqesh të hartuar nga zyrtarët e qeverisë federale dhe qeverisë së shtetit të Neë South Ëales (Nju Sauth Uells).

Kryeministri Tony Abbott ka propozuar kontrolle më të ashpra emigracioni në raportin zyrtar të pengmarrjes vdekjeprurëse në Sidnej, dhjetorin e vitit të kaluar. Agresori ishte një refugjat islamik radikal, i cili vinte nga Irani, e që mbeti viktimë e të shtënave të policisë gjatë mësymjes në kafenenë në qendër të qytetit.

Sesi dhe pse një njeri kaq i paqëndrueshëm, me pikëpamje radikale dhe me një histori të gjatë krimesh mundi të ushtronte terror në zemër të qytetit më të madh të Australisë, kjo ende nuk ka marrë një përgjigje të prerë, por Monis thuhet se njihej shumë mirë nga policia dhe agjencitë e sigurisë, e megjithatë nuk u konsiderua kurrë si një kërcënim serioz ndaj komunitetit.

Iraniani, i cili kishte fituar azil në Australi, u bë shtetas australian një dekadë më parë. Ai ishte akuzuar për komplotin e vrasjes së ish-gruas së tij, së bashku me disa agresione të tjera seksuale, por kishte dalë në liri me kusht në periudhën përpara se të kryente pengmarrjen në Sidnej. Në vitin 2012 ai ishte dënuar për dërgimin e email-eve me përmbajtje urrejtjeje ndaj familjeve të ushtarëve australianë të vrarë në Afganistan.

Tony Abbott tha se duhen nxjerrë mësime tepër të vyera nga ajo ngjarje, ndaj dhe duhen përforcuar kontrollet e dhënies së vizave, shtetësisë dhe lëshimeve në “liri me kusht” për të dënuarit.

Top Channel