Ekzekutimi i egjiptianëve nga ISIS, ekspertët: videoja mund të jetë e rreme

22/02/2015 00:00

Videoja e ekzekutimit të bujshëm të 21 të krishterëve koptë egjiptianë mund të jetë e rreme. Dyshimet e lindura që në fillim, e shtynë televizionin amerikan “Fox News” të kërkojë ndihmën e një grupi ekspertësh për të analizuar filmimin e mirëmenduar, të atyre që pretendohen të jenë thjesht disa militantë barbarë.

Specialistët ndajnë bindjen se ka manipulime të qarta, të realizuara përmes teknikash të njohura në Perëndim. Por, regjisorit i kanë shpëtuar disa gabime. Veryan Khan, përgjegjës i organizatës së kërkimeve dhe analizës së terrorizmit “Trac”, si anomali të parë evidenton xhelatin: xhihadistin që flet anglisht.

Figura e tij është shumë e madhe në raport me sfondin. Edhe koka nuk është në proporcion të rregullt. E njëjta gjë vlen për luftëtarët në këmbë, prapa shpinës së viktimave: me përmasat e shfaqura në video, duhet të jenë 2 metra të gjatë. Ekzekutorët pra janë gjigantët, ndërsa pengjet, xhuxhët në këmbët e tyre.

Pastaj është edhe zhurma e detit në largësi, një kolonë zanore mëse e njohur dhe e përdorur rëndom nëpër filma. I rremë duket të jetë dhe gjaku, që ngjyros në të kuqe ujin e detit në skenën finale. Për këtë është e bindur ekspertja Mary Lambert, e cila këmbëngul se kjo pjesë është realizuar me ndihmën e kompjuterit.

Analistët e “Trac”-ut ndërhyjnë dhe këtu me shpjegimin se, kush e ka montuar filmimin, nuk e ka mbajtur parasysh faktin që gjaku i derdhur nga një plagë e hapur, ka ngjyrë shumë më të errët sesa ajo që shihet në fazën e prerjes së fytit. E thënë ndryshe, bëhet fjalë thjesht për efekte speciale.

Sipas Lambertit, në plazh mund të kenë qenë e shumta 6 persona. Të tjerët janë shtuar në video përmes teknikës së njohur si “rotoscoping”, apo heqja e imazhit nga “backgroundi” i një xhirimi dhe vendosja e saj mbi një “sfond të dytë”.

ISIS-i duhet ta ketë filmuar skenën diku tjetër, e pastaj e ka transformuar duke e përshtatur me pamjen e një plazhi libjan. Arsyeja përse i është dashur grupit islamik të përdorë të tilla truke, mund të jetë frika se mund të zbuloheshin nga “drone”, apo avionë spiunë, dhe ekzekutimet kanë ndodhur mbase në një tjetër kohë e në tjetër vend.

Top Channel