Studentët e Shqipërisë tjetër

22/02/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Ngjarja që dua të tregoj është fare e thjeshtë dhe ndoshta nuk zgjon shumë emocion, reflektim, kërshëri apo nuk prek zemrat e ngrira, trutë e shpëlarë përfundimisht të shumë prej shqiptarëve, sepse, në themel të kësaj ngjarjeje, është libri.

Para disa ditësh, Haxhi Lika, student i masterit në universitetin “Hëna e Plotë” – Beder, m’u drejtua përmes një mesazhi në Facebook se ai, bashkë me disa studentë të tjerë, kishin marrë nismën që të ndërtonin dhe pasuronin bibliotekën e universitetit të tyre dhe në këtë prizëm, u ishin drejtuar disa personave që ata mendonin se mund t’i ndihmonin që të dhuronin për bibliotekën libra të tyre ose libra të tjerë. Iu përgjigja me kënaqësinë më të madhe kësaj ftese dhe iu dhurova me kënaqësinë më të madhe gjithashtu, disa kopje të librit tim të fundit dhe disa kopje të një libri tjetër për demokracinë që kam botuar vite më parë në bashkëpunim me Parlamentin e Kanadasë. E lamë të takohemi me studentin që ishte në krye të kësaj iniciative, Haxhi Likën dhe ditën e premte ua dhurova librat. Haxhiu i mori ato sikur të merrte një gjë të çmuar dhe pas kësaj, ai, në emër të kolegëve të tij, më dërguan një mesazh falënderimi në Facebook që është një nga falënderimet më të bukura që kam marrë në jetën time. Nga ai falënderim kuptova se ekziston edhe një Shqipëri tjetër, se ajo që shohim ne përditë në televizion apo në mjete të tjera të informimit publik është pjesa më e shëmtuar e jona, se ne nuk dimë të tregojmë edhe këtë Shqipërinë tjetër, Shqipërinë e studentëve si Haxhiu që, në këtë kohë të tmerrshme krize, kanë zgjedhur që të jetojnë jo me nervozizëm, jo me modelin e jetës që të ofron një shoqëri e sëmurë e mbushur tejendanë me lakminë për të fituar me çdo mjet e me çdo kusht, jo, ata kanë zgjedhur të bëjnë një jetë të përmbajtur dhe krizës kanë vendosur që t’i përgjigjen me filozofinë më të bukur, me konsumimin e dijes.
 
A duhet libri në tranzicion?

Iniciativa e studentëve të universitetit “Hëna e Plotë” – Beder, është një nismë shumë modeste dhe, në pamje të parë, nuk ka asgjë heroike brenda. Mirëpo, ajo, sipas meje, shfaq një shenjueshmëri më të gjerë dhe na tregon se ka ardhur koha që të zgjidhim përfundimisht se çfarë do të bëjmë me librin, pra të vendosim si shoqëri se a na duhet libri apo jo? Kjo pyetje provokative natyrisht që nuk ka nevojë për përgjigje, sepse askush, të paktën për hipokrizi, nuk do të guxonte të shpallte se libri nuk na duhet. Mirëpo, për fat të keq, modeli që ndërtuam në këta vjet tranzicioni edhe për librin është një model i shëmtuar. Në gjithë këta vjet, natyrisht që është investuar në mënyrë të pallogaritshme për librin dhe në Shqipëri janë botuar qindra për të mos thënë mijëra tituj. Cilësia e botimit është ndër më të mirat. Pa asnjë dyshim që në këta njëzetë e ca vjet tranzicion edhe në fushë të botimit të librave është bërë revolucion i jashtëzakonshëm. Mirëpo, si ka mundësi që këta libra nuk na ndihmuan dot që të bëheshim më të mirë, që të mos zhyteshim në këtë llum injorance ku jemi fundosur në gjithë këta vjet. Ja përse edhe sot e kësaj dite janë me një vlerë të shtuar fjalët që thoshte Pater Anton Harapi në ligjëratën e tij “Pro kultura” që e mbajti në shkurt të vitit 1944 kur po rithemelohej Instituti për Studime Shqiptare. Ja si thoshte ai mes të tjerash: “Vallë, pse tash tridhetë e sa vjet të pamvarësisë, me të gjitha përpjekjet për kulturë, erdhëm e u vorfnuem shpirtnisht? Ky problem i madh, për mue, ka nji shkak të vetëm, nji spjegim të thjeshtë: rreziku i ynë pse vumë leskër kulture d.m.th. nuk morëm kulturën vetë, por morëm format e përftimet e kulturës dhe i përshtatëm; shndërruem vlerat objektive me vlerat relative; përparuem për dukë, ndërsa realisht në shpirt borëm shumë, mbetëm mbrapa; u dhamë randësi të parë mjeteve e harruem qëllimin; tue kërkue ta bajm jetën sa ma të lehtë, shvleftësuem jetën vetë. Lavrimi i mendjes, trajtimin e vullndesës, ndiesitë e nalta shpirtnore i qitëm e i lamë në vend të dytë e të tretë. Faktori shpirtnor nuk pati vendin e vet, vendin e parë. Ja, sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don të dije kush sa pare të ban gjaku, par sa pare ke në Bankë. Nuk po lypet të jesh i dijshëm, as i aftë, mjaft të dijsh me u mbajtë dhe me u dukë i tillë”. Këto fjalë dhe ky konstatim nuk e kanë humbur vlerën e tyre as sot. Pra edhe sot ne vërtet kemi botuar libra pa fund, por jemi tharë në shpirt, kemi përkthyer libra të çfarëdolloji, por kemi mbetur inatçorë dhe të pagdhendur.
 
Të botosh apo të lexosh – kjo është çështja

Dua t’i rikthehem përsëri fillimit të shkrimit, nismës së  Haxhiut me shokë. Ajo që më tërhoqi vëmendjen nga mesazhi i tyre ishte shqipja perfekte dhe e korrektuar me një kujdes që të bënte të mendoheshe gjatë. Në një mesazh në Facebook, askush, madje edhe autori i këtyre radhëve që e mban veten skrupuloz në këtë lëmë, nuk përdor ë-në. Ndërsa ata, jo vetëm kishin përdorur ë-në, por ishin kujdesur për shenjat e pikësimit në mënyrë të tillë që bënin me turp edhe një mësues të mirë gjuhe. Nga këto detaje të vogla kuptova se ekziston edhe një Shqipëri tjetër që ne nuk e njohim, se shumë të rinj kanë vendosur që ta mundin krizën jo duke imituar modelin e shëmtuar që u shfaqim çdo ditë në media apo në forma të tjera të mëdha të komunikimit, por ta sfidojnë atë në heshtje, duke lexuar, duke lëruar mendjen dhe duke mbjellë aty farën e dijes dhe të urtësisë. Nëse sot ne jemi të përfshirë nga një krizë e thellë, veç të tjerash, kjo na vjen edhe për shkak se nuk po nxitim modelin e ushqimit edhe me libra, me dije, sepse për fat të keq, po e bombardojmë këtë vend me imazhin e vrasësit me pagesë, e hajdutit me kollare, e mikut që të zgjidh punët, e militantit që nga shpërndarës droge bëhet administrator. Kurse Haxhiu dhe shumë shqiptarë të tjerë kanë vendosur ta sfidojnë këtë llum që po na mbyt me tërheqjen në botën e librit. Ata natyrisht që mund të duken si jashtë kohe, por të paktën ata më shumë se gjithë të tjerët, kanë ditur ta ndalojnë kohën dhe ta përdorin për qëllime që mund të realizohen nesër, atëherë kur koha do të ketë nxjerrë jashtë saj, ashtu si ato plastamaset pas përmbytjes në rrëzë të lumenjve, shumë nga pasionet tona të mbrapshta, nga modeli ynë i shëmtuar. Urime, Haxhi!

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel