Basha: Rama bllokoi investimet në Tiranë

22/02/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka inauguruar  fillimin e punimeve për rikonstruksionin e shkollës së mesme “Qemal Stafa” në kryeqytet, punimet e së cilës, tha ai, kishin mbetur peng e diskriminimit politik që qeveria i ka bërë Bashkisë së Tiranës.

“Është pritur prej një kohe të gjatë nga prindërit dhe nxënësit ndërhyrja në këtë shkollë dhe ndonëse taksapaguesit e Tiranës janë më të mëdhenjtë në vend në buxhetin e shtetit, ata janë të fundit që përfitojnë nga grantet. Të investosh për fasada dhe palma kur nevojat e qytetarëve janë për infrastrukturë primare, është papërgjegjshmëri totale”, u shpreh zoti Basha.

Kryetari i Bashkisë ka shigjetuar direkt gjatë këtij inspektimi  kryeministrin Edi Rama, i cili sipas tij, shpenzon të ardhurat e mbledhura nga taksapaguesit për projekte fasadë dhe jo për infrastrukturë të domosdoshme për qytetarët.

“Si kryetar i opozitës i bëj thirrje kryeministrit të heqë dorë nga projektet fasadë dhe në këtë kohë krize çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë ta vendosë në shërbim të tyre dhe jo për rrugë nga aeroporti në zyrën e kryeministrit dhe nga zyra e kryeministrit në shtëpinë e kryeministrit. Kjo është një sjellje diktatori afrikano-qendror të viteve ‘80”, shtoi Basha.
 
1300 nxënës që zhvillojnë mësimin në shkollën “Qemal Stafa” do të kenë mundësi të gëzojnë ambientet e reja të rikonstruktuara sipas parametrave europiane semestrin e dytë të vitit të ri akademik, në janar të vitit 2016.

Kjo, tha kryebashkiaku, do të eleminojë zhvillimin e mësimit me dy turne.

Top Channel