PD: Rama bllokon projektet për hakmarrje politike

22/02/2015 00:00

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Partia Demokratike theksoi se kryeministri Edi Rama bllokon projektet e Bashkisë së Tiranës për t’u “hakmarrë politikisht” dhe kjo hakmarrje e tij është në kurriz të qytetarëve.

Deputeti Gerti Bogdani u shpreh: “Sa herë që flitet për interesat e drejtpërdrejta të qytetarëve, Edi Rama shfaqet si prodhues i konfliktit politik, i bllokimit, i axhendës së vet personale në kurriz të qytetarëve. Trashëgimia e tij në Tiranë është betonizim, klientelizëm e korrupsion, ndërsa sot në krye të qeverisë ai po bllokon të gjitha projektet e krijojnë vende pune, e përmirësojnë jetën e qytetarëve, vetëm sepse do të mbajë ndezur konfliktin politik e të pengojë një bashki ku ai është refuzuar me votë. Hakmarrja e tij politike po i privon qytetarët nga shumë shërbime e projekte që do të ndikonin drejtpërdrejt në cilësinë e tyre të jetës.”
 
“Ndërkohë që në gjithë vendin qytetarët po vuajnë dështimin e tij, bllokimin, varfërimin, shkatërrimin e mijëra vendeve të punës, pa asnjë investim me interes publik që sjell zhvillim, e teksa shiptarët janë në kushtet e mbijetesës, Edi Rama vazhdon të mbjellë palma e të shpenzojë shumë para për trille, fryrje administrate e shpenzime të panevojshme. Modeli i Ramës është verifikuar e certifikuar tashmë si modeli i ngritur mbi mashtrim që po përkeqëson jetën e qytetarëve çdo ditë. Roli i deputetëve është të mbrojnë interesat e qytetarëve, jo të kthehen në skllevër të bindur të pabarazisë para ligjit dhe të paligjshmërisë që po vret sigurinë juridike dhe mijëra vende pune. Deputetët t’i kërkojnë Ramës të zhbllokojë investimet, të zhbllokojë ndërtimin e bulevardit, tramit, terminalit dhe investimeve të tjera publike që hapin vende pune dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve”, shtoi Bogdani.

Top Channel