Kategoria Superiore, Tirana mundet 3-0 në Laç

22/02/2015 00:00

Laçi ndal 3-0 Tiranën dhe i shkakton kësaj skuadre humbjen e parë pas 7 javësh.

Bardheblutë e drejtuar nga Magani u mundën 3-0, duke vënë në rrezik vendin e parë në renditjen e Superiores.

Gabimi i pafalshëm i portierit Frashëri në minutën e 23-të i dha mundësinë Sefgjinit të zhbllokojë rezultatin. 4 minuta nga fundi, Sheta dyfishoi rezultatin, por u ndëshkua me të kuq për shkak të festimit pas golit.

U mendua se avantazhi numerik do të favorizonte Tiranën, por në fundin e pjesës së parë Bulku la skuadrën me 10 lojtarë. Kryeqytetasit u treguan të pafuqishëm të reagojnë edhe në pjesën e dytë, ndërkohë që Meto shënoi golin e nokautit në minutën e 82.

Kështu Laçi forcon pozitat e saj në mesin e klasifikimit, ndërsa Tirana mbetet në kuotën e 47 pikëve, në pritje të sfidës Skënderbeu-Kukësi, i cili mund të ndryshojë kreun e Superiores.

Partizani mundi 2-1 Teutën në Fier dhe rifutet sërish në luftën për titullin kampion. Kjo fitore ul pak tensionit e krijuar në kampin e kuq pas atij eliminimi të turpshëm në Kupën e Shqipërisë.  Golat e skuadrës së Duros u shënuan nga Fazliu në minutën e 11 dhe Mazrekaj me 11-metërsh, ndërsa golin e vetëm të durrsakëve që tashmë janë në luftë për mbijetesë e shënoi Nika.

Elbasani vazhdon të mos fitojë edhe pse ka disa javë që ka zhvilluar lojëra të mira. Këtë herë ishte Flamutari që falë golit të Buval në fundin e ndeshjes arriti të fitojë 1-0 ndaj ekipit të Dostit, i cili vazhdon ende të qëndrojë mes ekipeve pretendente për rënie në një kategori më poshtë.

Është dashur ndeshja me Apoloninë e vendit të fundit që Vllaznia të rikthehet pas 6 javësh te fitorja. Shkodranët e drejtuar nga Ranieri fituan 2-0 falë golave të Sozës dhe Gilman Likës në pjesën e dytë.

Pas këtij suksesi Vllaznia ngjitet në kuotën e 26 pikëve dhe largohet 5 pikë nga Teuta e vendit të 8-të.

Top Channel