Emigrimi i kosovarëve ndikon dhe në rënien e të ardhurave doganore

22/02/2015 00:00

Emigrimi i mijëra kosovarëve në dy muajt e fundit ka ndikuar në rënien e të ardhurave në dogana.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se vetëm gjatë muajit janar ka pasur 15 përqind më pak të ardhura në krahasim me muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas tij faktor kyç ka qenë emigrimi , pasi ka rënë konsumi. Rafuna ka shpjeguar se me zvogëlimin e numrit të konsumatorëve bie edhe numri i kërkesave për import, sidomos tek ushqimet, dhe kjo reflektohet edhe në të ardhurat doganore.

Edhe njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se këtë vit shteti do të realizojë më pak të ardhura,  për shkak të rënies së fuqisë blerëse dhe rritjes së varfërisë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit vlerëson se Kosova do të përballet me ulje të të ardhurave edhe për faktin se edhe çmimet e disa produkteve janë në rënie për shkak të ndikimit të uljes së çmimit të naftës dhe derivateve të tyre.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se vendi është duke u përballur me rënie të fuqisë blerëse dhe rritje të varfërisë.

Sipas tij, investimet publike janë të orientuara në ndërtimin e rrugëve dhe se nuk ka investime të huaja, çka ndikon në rënie të konsumit.

Top Channel