Të mëdhenjtë e kinemasë pa “Oscar”

22/02/2015 00:00

Kanë interpretuar në qindra filma; janë emra që njihen në çdo cep të globit; janë të vlerësuar nga kritika, të pamungueshëm në revistat rozë, të ngritur në piedestalin e Hollywood-it si të padiskutueshëm në profesion.

Por edhe pse nominime kanë marrë plot, në duar nuk i ka rënë kurrë një statuetë e shumëlakmuar “Oscar”.

Në po atë vend, në po atë kohë, zhvillohet ceremonia më e pritur e vitit për botën e kinemasë. Fansat e Leonardo di Caprio-s shpresojnë të mos e shohin të zhgënjyer sërish si vitin që shkoi, kur çmimin e “aktorit më të mirë” ia rrëmbeu nga duart Matthew McCounaghey. Për Leo-n nuk ishte hera e parë, por s’është i vetmi: ka plot yje të ekranit të madh, që edhe pse e kanë merituar një vlerësim të tillë, nuk e kanë marrë kurrë.

Johnny Depp duhet të kënaqet vetëm me tre nominime për “Oscar”, sepse statujëzën vetë nuk e ka pasur asnjëherë mundësinë ta vendosë në këndin e trofeve.

Tre kandidatura e asnjë çmim edhe për të famshmin Brad Pitt; tashmë duhet të jetë mësuar. Vlerësimi më i madh me të cilin krenohet Bruce Willis është një “Golden Globe”.

Harrison Ford është një nga emrat më të respektuar në Hollyëood, me një karrierë të gjatë e performancë të padiskutueshme, por pas pritshmërive të mëdha nga statueta e dëshiruar, mbase ka hequr dorë.

Julianne Moore është nga femrat më të vlerësuara në botën e filmit, por jo me nderimin më të lartë të akademisë së filmit dhe shkencës. Nuk e ka pasur këtë fat as e mrekullueshmja Michelle Pfeiffer. Aktori aq vital Tom Cruise, tërheqësi Richard Gere apo ajo që shumë e konsiderojnë si divën më të madhe të të gjitha kohërave, Marilyn Monroe.

Top Channel