Kriminaliteti i huaj në Britani, shqiptarët në vendet e para

22/02/2015 00:00

Statistikat e nxjerra nga Ministria britanike e Drejtësisë flasin për shifra shokuese të të huajve nëpër burgjet britanike.

Sipas tyre, të cilave u referohet tabloidi britanik “Daily Mail”, shqiptarët janë në vendet  e para të numrit të huajve nëpër burgjet britanik. Një ndër tetë të burgosur është i huaj.

Rumunet janë të parët, ndërkohë shqiptarët dhe lituanezët bashkë me rumunët, proporcionalisht kanë më shumë gjasa të burgosen sesa britanikët. Statistikat  tregojnë për arrestimet dhe burgosjet në periudhën tetor 2013 deri në mars të 2014.

Shqiptarët janë të tretët në tabelën e krimit për drogë pas vietnamezëve dhe xhamajkanëve. Po të tretët janë sipas statistikave edhe për mashtrim pas rumunëve dhe nigerianëve. Në tërësi, sipas statistikave të Ministrisë britanike të Drejtësisë, më shumë gjasa për t’u burgosur ndër të huajt kanë vietnamezët dhe shqiptarët që jetojnë në Britani,  me më shumë se një përqind të popullsive respektive.

Më saktë, në gjashtë muaj janë arrestuar 1.26 për qind e shqiptarëve  që kanë jetuar zyrtarisht në Britani për periudhën tetor 2013-mars 2014. Asnjëherë nuk ka pasur një shifër zyrtare të shqiptarëve  që jetojnë në Britani, kjo edhe për faktin se numri i tyre në ishull sa vjen e rritet me shifra marramendëse në vitet e fundit, ku shumica jetojnë në të zezë.

Shumica e të arrestuarve shqiptarë kohët e fundit kanë të bëjnë me drogë dhe mashtrime, ku të ardhurat janë jashtëzakonisht të larta.

Shqipëria dhe Britania kanë një marrëveshje për vuajtjen e dënimit të shqiptarëve nëpër burgjet shqiptare dhe nuk dihet saktësisht sesa kanë mundur të transferohen në burgjet shqiptare.

Top Channel