Lista Serbe bojkoton institucionet

23/02/2015 00:00

Janë bërë tri javë që Lista Serbe është duke bojkotuar të gjitha institucionet qendrore të Kosovës si shenjë revolte për shkarkimin e ministrit Aleksandër Jabllanoviç nga ana e kryeministri Isa Mustafa.

Në sekretarinë e Kuvendit të Kosovës bëjnë të ditur se nëntë deputetët e Listës Serbe kanë bojkotuar të gjitha punimet e Kuvendit, duke përfshirë punën në Komisione Parlamentare, por edhe seancat e Kuvendit.

Sipas rregullores së punës së Kuvendit, deputetët që nuk marrin pjesë në seanca si dhe në Komisione Parlamentare nuk i marrin 400 euro shtesë, por pagën prej rreth 1500 euro e marrin të plotë. Por, nëse deputeti mungon më shumë se gjashtë muaj, sipas rregullores i merret mandati.

Edhe në ministritë që i drejtojnë ministrat e Listës Serbe bojkoti ka filluar që nga data 3 shkurt. Zyrtarë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim si dhe zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kanë treguar me kusht anomiteti se që tri javë ministrat serbë nuk kanë qenë në punë, derisa ata i kanë marrë me vete dhe i shfrytëzojnë makinat zyrtare të shtetit.

Të kontaktuar nga Top Channel, zyrtarë të Listës Serbe nuk kanë dashur të flasin se kur do të kthehen në institucione, por kanë paralajmëruar se për këtë çështje do të vendosin bashkë me kryeministrin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në takimin e radhës. Optimistë për kthimin e serbëve në institucione janë edhe në kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa. Bajram Gecaj, këshilltar politik i kryeministrit, tha përmes telefonit për Top Channel se janë në bisedime me Listën Serbe dhe presin kthimin e tyre në institucione.

Gecaj tha se nuk ka ende ndonjë datë të caktuar, por sipas tij brenda dy javëve të ardhshme Lista Serbe mund të rikthehet në institucione. Gecaj e ka konfirmuar se serbët vazhdojnë të mbajnë inat për largimin e Jabllanoviçit, derisa nuk pret që ata të paraqesin ndonjë kush për kthim në institucione.

Top Channel