Kaosi në shfrytëzimin e minierave, hiqen 20 leje të mbivendosura

23/02/2015 00:00

Ministri i Energjisë Damian Gjiknuri ka revokuar 20 leje minerare për
arsye të mbivendosjes në vendburimet e kromit në Bulqizë, Thekën, Batërr
dhe Krastë.

Shmangia e mbivendosjes, sipas ministrit, përveç se shmang konfliktet mes subjekteve që zotërojnë leje minerare, i shërben rritjes së sigurisë për punonjësit e nëntokës.   

“Fenomene të krijuara nga lëshime lejesh të pakontrolluara dhe jashtë parametrave ligjorë që shpesh janë shndërruar edhe në burim konfliktesh. Ligji na dha autorizimin të bëjmë një pastrim një herë e mirë të të gjithë lejeve me mbivendosje, duke i dhënë fund këtij fenomeni shqetësues në Bulqizë dhe disa zona të tjera”, tha Gjiknuri.
 
Paralelisht me këtë vendim, Ministria e Energjisë ka vendosur revokimin edhe për dhjetëra leje të tjera minerare, të cilat nuk kanë kryer pagesën për rehabilitimin e mjedisit duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej miliona lekësh.

“Janë 47 leje të tjera të revokuara për mospagesë të garancive financiare, do të thotë kemi pastruar lejet që janë fiktive apo nuk kontribuojnë në buxhetin e shtetit duke sjellë regjistrin e lejeve minerare në ato leje që janë duke funksionuar”, theksoi Gjiknuri.
 
Vendimet e marra së fundmi për pastrimin e lejeve fiktive, atyre me probleme juridike apo që nuk kontribuojnë në buxhetin e shtetit ka përgjysmuar numrin e lejeve minerare aktive në vend nga 1200 ne 600 leje aktualisht. 

Top Channel