Krisma në zyrat e ALUIZNI-t në Durrës, konflikt mes dy personave

23/02/2015 00:00

Në ambientet e jashtme të ALUIZNI-t, brenda godinës së Prefekturës dhe
Këshillit të Qarkut në Durrës, ka pasur një konflikt mes dy qytetarësh, i
cili ka degraduar deri në përdorim të armëve të zjarrit.

Teksa qëndronin në rradhë për të marrë shërbim pranë sporteleve të ALUIZNI-t, dy të rinj janë grindur verbalisht dhe fizikisht, ndërsa njëri prej tyre ka qëlluar me pistoletë. Si rezultat i sherrit, mbeti i dëmtuar, jo nga arma e zjarrit, shtetasi Fabian Gashi dhe u shkaktuan deme materiale.

Në vendin e ngjarjes policia gjeti një gëzhojë, ndërsa drejtuesi i ALUIZNI-t, Flamur Gjuzi deklaroi se ngjarja nuk ka lidhje me këtë agjenci, apo shërbimin e ofruar prej saj dhe se puna vijon normalisht.

“Ka ndodhur jashtë ambienteve tona, nuk ka lidhur me punën e institucionit tonë, por thjesht mesa kemi dijeni është një ngjarje që ka ndodhur mes qytetarëve, për një konflikt mes tyre”, tha Gjuzi.

Pas sherrit, dy personat u larguan nga ambjentet e godinës administrative, ndërsa një qytetare tjetër e pranishme në vendngjarje, u dërgua në spital pasi humbi ndjenjat si rezultat i panikut të shkaktuar nga e shtëna. Policia ka zbardhur ngjarjen dhe pritet arrestimi.

 

Top Channel