Vlorë, Gjika paraqitet në Prokurori, por nuk merret në pyetje

23/02/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, është paraqitur të hënën në
Prokurorinë e Vlorës në zbatim të vendimit të gjykatës që përcaktonte
masën e dhënë ndaj tij “detyrim paraqitje”.

Gjika mësohet se ka qëndruar rreth 20 minuta në institucionin e organit të akuzës, ndonëse sipas burimeve, mësohet se nuk ka qenë një seancë pyetjesh në bazë të vendimit të gjykatës.

Sipas vendimit të këtij të fundit, kryetari i Bashkisë Vlorë, duhet të paraqitet një herë në javë në Prokurori ditëve të hëna deri sa të përfundojnë hetimet.

Javën e shkuar, Gjika nuk shkoi në Prokurori dhe avokati i tij e justifikoi mungesën për arsye shëndetësore, duke paraqitur dhe një shkresë.

I akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve për ndërtimin e një pallati 11-katësh në Vlorë, Gjika u arrestua më 6 shkurt 2015 pranë banesës së tij tek Uji i Ftohtë, por më pas u la i lirë.

Gjykata dha masën e arrestit detyrim me paraqitje, duke e argumentuar me gjendjen e tij shëndetësore, megjithatë Prokuroria e ka apeluar vendimin.

Top Channel