“Barcelona ka sulmin më të fortë në botë”

23/02/2015 00:00

Pablo Zabaleta ka deklaruar se Barcelona ka sulmin më të fortë në botë në prag të ndeshjes që Manchester City do të luajë përballë katalanasve për 1/8 e Champions League.

Mbrojtësi argjentinas i skuadrës angleze, në një intervistë për ‘El Mundo Deportivo’, tha se është gati të përballet me “sulmin më të mirë të Europës” të martën në mbrëmje (20:45).

Edhe pse Barcelona vjen nga humbja e papritur me Malagën, Zabaleta nuk mendon se skuadra e Luis Enriques është në rënie: “Një ndeshje nuk ndryshon asgjë. Mendojmë ende se do të kemi përballë ekipin më të fortë në Europë dhe sulmin më të fortë në Botë.”

Kur u pyet si mund të ndalej “sulmi më i fortë në botë”, argjentinasi deklaroi: “Duhet të punojmë shumë në mbrojtje dhe të mos lejojmë hapësira për asnjërin prej tyre (Messi-Neymar-Suarez). Duhet të jemi të përqendruar dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin.”

Top Channel