Gjykata Speciale, kritika në Prishtinë

23/02/2015 00:00

Dokumenti i hartuar nga Bashkimi Evropian për themelimin e Gjykatës
Speciale po vazhdon të marrë kritika të ashpra në Prishtinë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj ka deklaruar që tani votën kundër dokumentit për Gjykatën Speciale dhe ka paralajmëruar angazhim që të bindë edhe deputetë të partive të koalicionit që të votojnë kundër.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi tha pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se Kosova nuk duhet ta miratojë një dokument të tillë edhe nëse ai  kalon nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
 
 “Drafti i propozuar është më e keqja që mund t’i ndodhë Kosovës. Është një projektligj i cili absolut nuk lidhet me ligjet e Kosovës. Është një projektligj i cili do të ketë pasoja afatgjata për vendin. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta përkrah, nuk do ta mbështet dhe do të kërkojmë që i njëjti të mos votohet në Parlament sepse konsiderojmë se gjenocid në Kosovë ka bërë Serbia dhe jo anasjelltas”, tha Donika Kadaj Bujupi.  

 Deputetja Kadaj-Bujupi tha se opozita do të kërkojë që buxheti i projektuar për Gjykatën Speciale që pritet të jetë rreth 300 milionë euro t’i dhurohet sistemit të drejtësisë në Kosovë, e ku sipas saj mund të trajtohen edhe krimet e pretenduara të luftës.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të hënën ka caktuar për të enjten seancën plenare të Kuvendit, por ku nuk do të diskutohet ende për Gjykatën Speciale, pasi dokumenti i prezantuar javën e kaluar pritet që së pari të shndërrohet në projektligj e më pas të dërgohet në Kuvend.

 Ndërkohë, shefat e Grupeve Parlamentare të partive të koalicionit PDK-LDK nuk kanë pranuar të flasin për Gjykatën Speciale.

Top Channel