USAID, 750 mijë USD për serat e dëmtuara

23/02/2015 00:00

Gjurmët e përmbytjes janë ende prezente në serat në fshatin Kafaraj të
Komunës Frakull. Në këtë gjendje janë edhe serat e prodhimit të
ludheshtrydheve me pronar Xhemil Hamataj, i cili është një prej 20
fermerëve, prodhimet e të cilëve janë shkatërruar krejtësisht nga
përmbytjet.

Xhemilit, së bashku me shumë fermerë, ministri i Bujqësisë Panariti dhe Kryeministri Edi Rama u thanë se Qeveria me ndihmën e USAID, do të nisin punën, për rindërtimin e serave.

“Do të instalojmë një model të ri tipologjie serash, që do të garantojë rendiment më të lartë, por njëkohësisht do të jetë më rezistent ndaj përmbytjeve. Do të fillojmë me 4 dynymë dhe angazhohemi që gjithë sipërfaqja do të ndryshojë tipologjinë e serave, sipas një sistemi të avancuar, shumë më eficient dhe rezistent”, tha Panariti.

Jo vetëm rindërtim të serave të përmbytura, por ato do të jenë me cilësi të lartë. Ky ishte angazhimi i Kryeministrit Rama përpara fermerëve të kësaj zone.

“Ne kemi marrë një angazhim dhe jemi këtu për ta mbajtur angazhimin tonë. Fermerët e kësaj zone, njerëz të punës, njerëz të sakrificës, njerëz të dëmtuar nga një fatkeqësi natyrore do të marrin falë kësaj mbështetje mbrapsht, jo vetëm gjithçka kanë humbur, por edhe mundësinë që infrastruktura e re e prodhimit të tyre, të jetë një insfrastrukturë shumë më moderne se sa ajo që ka qenë përpara përmbytjeve. Ky ka qenë angazhimi ynë dhe ja ku jemi. Këta jemi ne, themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, tha Rama.

Drejtori i USAID, Marcus Johnson shpjegoi se ku koinston ndihma amerikane për këta fermerë.

“Është bërë një marrëveshje prej 750 mijë dollarë për të ndihmuar fermerët dhe në ditët që do të vijnë ne do të bëjmë një demonstrim të kësaj marrëveshjeje, pikërisht në këtë zonë, për të parë se si mund të përmirësojmë serat, çfarë teknologjie mund të përdorim. Kemi bërë një marrëveshje dhe deri në shtator do të ketë një situatë më të mirë dhe një infrastrukturë më të mirë”, tha Johnson.

Paralelisht tha kryeministri Edi Rama në këtë zonë do të nisë edhe procesi  zhbllokimi i kanaleve të kullimit, për të  cilin Kryeministri u shpreh se nuk kryhet prej 20 vitesh.

Top Channel