Veshjet e yjeve të Hollivudit, artistët në “garë” edhe për modelimin

23/02/2015 00:00

Shiu nuk u bë dot protagonist në paradën e yjeve dhe disa re në qiell nuk mund ta prishnin natën më të madhe të kalendarit hollivudian. Ashtu siç priste ethshëm fituesit e edicionit të 87 të Oskarëve, ashtu priste publiku të shikonte edhe veshjet që i shtojnë magjinë tapetit të kuq.

Një mbizotërim i ngjyrës së çelët, bezhë e lehtë dhe pana, thyer vetëm nga ndonjë vijë e lehtë apo dekoracion i zi; këtë sollën fustanet mbresëlënëse të 5 të nominuarave në kategorinë e aktores më të mirë: Reese Witherspoon, Julianne Moore, Marion Cotillard dhe Felicity Jones, rrëzëllitëse që të gjitha, edhe pse bizhutë ishin përdorur me mjaft modesti.

Përgjegjës për një shkëlqim të tillë qenë emra të padiskutueshëm të modës: Channel, Tom Ford, Dior, Karl Lagerfeld dhe krijimet e përsosura në firmën e Alexander McQueen.

Fituesja e Oskarit të vjetshëm si aktorja më e mirë joprotagoniste, për interpretimin në “12 vjet skllav”, Lupita Nyong’o, ishte mbuluar kokë e këmbë me perla nga Calvin Klein.

Me të zezën je gjithmonë i sigurtë, ky parim duket ka shtyrë zgjedhjen e Cate Blanchett-it të veshur nga John Galliano; Sienna Miller-it që i është drejtuar për këtë rast kaq të veçantë shtëpisë së modës Oscar de la Renta; dhe Margot Robbie-t me fustanin Saint Laurent.

Lady Gaga, si gjithmonë mbretëreshë e dramës, nuk është larguar dot nga preferencat e “look-ut” teatral, por që pak mbresa i ka lënë kritikës. Bashkë me rrobën kuqezi plot frunda të çuditshme të Blanca Blancos dhe varësen e rëndë apo modelin mashkullor të flokëve të Scarlett Johanson, veshja e këngëtares rebele është rreshtuar në listën e katastrofave të tapetit të kuq.

Rita Ora, nga ana tjetër, rrëmbeu vëmendjen me fustanin e saj luksoz Marchesa, shoqëruar vetëm me një palë vathë të gjatë e asgjë tjetër, edhe pse e hodhi poshtë të gjithë mundin e stilistes pastaj me fustanin transparent që iu afrua rrezikshëm vulgares, të cilin e kishte zgjedhur për festën pas ceremonisë.

Nuk gjen më shumë se një palë vathë e një unazë të thjeshtë edhe te Rosamund Pike, ku gjithë çfare kishte për të thënë, e tha e kuqja e ndezur e fustanit që nxori në pah format e jashtëzakonshme të aktores britanike, e cila sapo ka sjellë në jetë një fëmijë.

Eleganca ishte edhe këtë vit kryefjala e paradës së shumëpritur të veshjeve në ceremoninë madhështore, ku edhe pse nuk kanë munguar krijimet e guximshme në ngjyrë e formë, në fund, vlerësimet më të larta i kanë marrë klasiket.

Top Channel