Afera e përgjimeve dëshmoi se qeveria ka nën kontroll të plotë televizionet kryesore në gjuhën maqedonase në Shkup.

Kështu vlerëson kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Maqedoni, Naser Selmani, i cili tha se televizionet kombëtare maqedonase përmes propagandës po tentojnë të pasqyrojnë një realitetet të rremë për krizën politike në vend.

Këto komente Selmani i bëri duke folur pas publikimit të bisedës mes shefit të shërbimit sekret, Sasho Mijallkov dhe drejtuesve të dy televizioneve kombëtare maqedonase, ku ata merreshin vesh mes tyre se si të prezantohej lajmi për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Lube Boshkovski.

“Po del se në Maqedoni ne nuk kemi pushtet të organizuar në bazë të ndarjeve të pushteteve, pushtetit ekzekutiv, legjislativ, gjyqësor dhe media si pushtet i katërt, por kemi një qeveri që faktikisht është shërbimi sekret që i koordidon të gjitha këto segmente. Kjo s’ka lidhje me demokracinë dhe kjo duhet të ndryshohet”, deklaroi Selmani.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve komentoi edhe informacionet se pas publikimit të aferës së përgjimeve, administrata amerikane po shqyrton mundësinë që shumë personaliteteve publike në Maqedoni, përfshirë edhe disa gazetarë, t’u anulojë vizat apo edhe t’u ndalojë hyrjen në SHBA, nëse për ta shfaqen dyshime se janë përfshirë në afera korruptive, pastrim parash apo në raste ku janë shkelur të drejtat e njeriut.

“Kjo masë e Shteteve të Bashkuara është një porosi e qartë për regjimin këtu, sepse masa të ngjashme SHBA-të kanë zbatuar ndaj regjimeve jodemokratike. Kjo është një porosi për pushtetin se, nëse nuk pranon që situata të zgjidhet përmes bisedimeve do t’i nënshtrohet një izolimi ndërkombëtar”, shtoi Selmani.

Drejtuesi i SHGM-së u shpreh i sigurt se përkundër kontrollit ndaj medias, qeveria nuk do të mund të zvogëlojë efektin e aferës së përgjimeve, që sipas tij po nxjerr në dritë skandale të rënda të pushtetit.

Top Channel