Franca u sekuestron pasaportat 6 shtetasve, do udhëtonin drejt Sirisë

23/02/2015 00:00

Autoritetet franceze u kanë sekuestruar pasaportat 6 shtetasve që besohej se do të udhëtonin drejt Sirisë për t’u bashkuar me luftëtarët xhihadistë. Kjo është hera e parë që në Francë ndodh një gjë e tillë.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve, citoi shërbimet e inteligjencës në pretendimet e tyre se, personat në fjalë kërkonin të afroheshim me militantët e Shtetit Islamik. Masat janë pjesë e një pakete të re ligjesh antiterrorizëm, të miratuara gjatë nëntorit të vitit të kaluar.

Pasaportat e tyre dhe kartat e identitetit u konfiskuan për 6 muaj, periudhë pas së cilës urdhri mund të rinovohet. Ata kanë të drejtë të apelojnë kundër kësaj mase shtrënguese në gjykatë.

Raportimet e mediave franceze bëjnë të ditur se disa prej tyre ishin raportuar në autoritetet nga të afërm, të cilët kishin shfrytëzuar linjën telefonike të sigurisë, të sapongritur, ndërsa disa të tjerë ishin identifikuar nga hetimet policore.

Me urdhër të Parisit zyrtar, ndërkohë, aeroplanmbajtësja “Charles de Gaulle” është dërguar në ujërat e Bahreinit, me avionë luftarakë “Rafale”, që do të sulmojnë pozicionet e ISIS-it në Irak, bëri të ditur një zëdhënës i ministrit të Mbrojtjes, Jean-Yves Le Drian.

Korrespondentë të huaj thonë se dërgimi i anijes luftarake në atë gji do të shkurtojë distancën kohore të avionëve luftarakë që, deri më tani kanë fluturuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe drejt Irakut.

Franca i nisi operacionet “Chammal” në mbështetje të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër ISIS-it në muajin shtator.

Top Channel