Ligji për Energjinë, pronarët e HEC-eve tregojnë pretendimet para deputetëve

23/02/2015 00:00

Përfaqësues të konçensionarëve të HEC-eve dhe biznesit u dëgjuan nga deputetët e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese lidhur me projektligjin për sektorin e energjisë.

Prodhuesit e vegjël kërkuan garantimin e blerjes së energjisë nga shteti për 15 vite, siç parashikon kontrata e lidhur me KESH, me një çmim të rregulluar, të ndryshëm nga ai aktual prej 7.6 lekësh.

“Sipas nesh, për një kthim investimi në 10 vite, jo 3, 4 apo 5 vite siç thuhet, çmimi i shitjes së energjisë është 8.95 lekë për kilovat/orë. Çmimi për 2015-n është 7.63 lekë. Diferenca është e dukshme. Nëse marrim në konsideratë atë që kemi lexuar në gazeta, që shoqëria e shpërndarjes ka blerë energji me 8 lekë, pyesim pse duhet të mbeshtetet importi që nuk sjell të ardhura në ekonominë kombëtare në vend të prodhimit vendas kur këto HEC-e i mbeten më pas në pronësi shtetit. Askush nuk vjen të investojë nëse nuk do të keni rregulla të qarta”, deklaroi Giordano Giorini, kryetar i bordit ekzekutiv të Shoqatës së Energjisë, AREA.

“I bie që nëse vazhdohet kështu, ne ose të dorëzojmë çentralet, ose të krijojmë një mënyrë për të rregulluar një ligj e për të bërë diçka të përbashkët që të vazhdojë gjatë e jo vetëm për të kaluar radhën”, tha Sokol Meqemeja nga AREA.

Kryetari i komisionit, Eduard Shalsi u kërkoi përfaqësuesve të prodhuesve të vegjël të depozitojnë kërkesat e tyre me shkrim për t’u marrë në shqyrtim para miratimit të projektligjit në Kuvend.

Top Channel