“Kievi nuk mund të tërheqë artilerinë e rëndë, pa u ndalur sulmet”

23/02/2015 00:00

Ushtria ukrainase ka bërë të ditur gjatë së hënës se nuk do të nisë tërheqjen e armatimeve të rënda nga vija e fronit në lindje të vendit, siç kërkohet në armëpushimin e brishtë, për shkak të avancimit të separatistëve prorusë gjatë javës së kaluar, të cilët vijojnë ende të sulmojnë pozicionet e tyre.

Marrëveshja e paqes me synimin për t’i dhënë fund luftimeve, që u kanë marrë jetën më shumë se 5600 personave, rezultoi e dështuar gjatë javës së kaluar, pasi rebelët e injoruan atë dhe pushtuan qytetin strategjik të Debaltseves, në një humbje tepër “rënduese” për Kievin.

Megjithatë, sponsorët europianë të marrëveshjes së paqes ende shpresojnë për funksionimin e duhur të saj, tashmë që separatistët e mbështetur nga Moska e arritën edhe objektivin e fundit.

Kievi ka shtuar se ka frikë se mos rebelët, të përforcuar së fundi nga trupa rusë por edhe armatime të rënda, janë duke planifikuar të avancojnë më në thellësi të atij territori që Kremlini e quan “Rusia e Re”. Por, Moska mohon vazhdimisht të ketë ndihmuar rebelët.

Luftimet janë zbehur që kur forcat e Kievit braktisën Debaltseven, pas humbjes së të mërkurës, ndaj dhe janë shtuar shenjat shpresëdhënëse për armëpushimin gjatë fundjavës, kur dhe gjatë mesnatës mes së shtunës dhe të dielës u këmbyen rreth 200 të burgosur, ndërsa të dielën u arrit një marrëveshje për të nisur tërheqjen e artilerisë së rëndë nga fronti.

Por, Kievi njoftoi këtë të hënë se ende nuk mund të nisë tërheqjen e artilerisë. “Duke parë që pozicionet tona po vazhdojnë të bombardohen, ende nuk mund të ketë hapësirë për të biseduar tërheqjen e armatimeve”, tha zëdhënësi i ushtrisë, Vladislav Seleznyov.

Një tjetër zëdhënës shtoi se forcat rebele kanë sulmuar në fshatin Shyrokyne përgjatë natës, i cili të shpie në Mariupol, një qytet portual i rreth gjysmë milioni banorëve, që sipas Kievit mund të jetë objektivi madhor i radhës për rebelët.

“Pati dy bombardime artilerie gjatë natës në Shyrokyne, nga krahu i Mariupolit dhe, për sa kohë trupat tona shënjestrohen, nuk kemi sesi të largohemi. Ata u përpoqën pa sukses të na sulmonin, në një betejë që zgjati rreth 30 minuta”, ishin komentet e zëdhënësit të ushtrisë ukrainase, Anatoliy Stelmakh.

Kievi i frikësohet gjithashtu faktit që trazirat mund të përhapen nga zona e luftës edhe në pjesë të tjera të lindjes të populluar kryesisht me rusishtfolës, ku trupat qeveritare janë plotësisht nën kontroll të situatës dhe shumica e banorëve janë besnikë ndaj Kievit, por separatistët kanë zhvilluar demonstrata të dhunshme gjatë vitit të kaluar.

Top Channel