Vjosa, ambientalistët takojnë Bushatin

23/02/2015 00:00

Një grup qytetarësh, aktivistë të mjedisit shkuan për të protestuar
përpara Ministrisë së Jashtme për projektidenë greke për devijimin e
Vjosës, por aktiviteti mori kthesë tjetër, kur për t’i takuar doli
ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.

Pas takimit me shefin e diplomacisë shqiptare, ambientalistët dhe qytetarët kanë qenë në një linjë me Ministrinë e Jashtme.

Garancinë se çështja është ndjekur dhe po ndiqet hap pas hapi, Ministria e Jashtme e dha paralalisht me nënvizimin se nuk do te lejohet  asnjë devijim nga e drejta ndërkombëtare për këtë çeshtje.

“Asnjë negocim për marrje, sikur edhe një metër kub të lumenjve Radikë, Vjosë, madje qenka edhe Buna në horizont. Komisionet shqiptare më shumë kanë fjetur gjumë se sa kanë bashkëpunuar. Me të drejtë kjo qeverisje, ndoshta për herë të parë arrin të bëjë transparent, arrin të ngrejë Komisione, të cilët do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe jo pjesë e problemit”, tha ambientalisti Sazan Guri.

“Pala greke ka shumë të qartë qëndrimin tonë për këtë projektide. E kemi bërë të ditur qëndrimin tonë edhe në Komisionin e Përbashkët të Menaxhimit të Ujërave Ndërkufitare dhe jemi në ndjekje të situatës, por duhet të jemi të saktë, që është vetëm një projektide dhe nuk kemi të bëjmë me një projekt real në terren”, tha Glevin Dervishi, këshilltar për Median në Ministrinë e Jashtme.

Ndersa ambientalistet dolen nga Ministria e Jashtme te kenaqur me faktin se do te jene pjese e diskutimeve per çdo ceshtje te ngjashme, ish ministri i fundit i Jashtem i demokrateve Aldo Bumçi reagoi nga selia. Per te, dy jane shqetesimet: “Përse kjo Qeveri në vend që të informojë publikun do të manipulojë? Eshtë takuar ministri Bushati me ish-ministrin Venizelos? Po! Si ka mundësi që nuk kemi asnjë informacion? A i ka ngritur ministri i Jashtëm këto çështje në këto takime dypalëshe? Duhet të na japë një informacion të mëtejshëm se çfarë ka ndodhur. Fakti që nuk e japin këtë informacion ngre pikëpyetje të forta”.

Top Channel