Jeruzalem, kur kryebashkiaku përleshet ndaj agresorëve…

23/02/2015 00:00

Kryebashkiaku i Jeruzalemit ka shtrirë përtokë një të dyshuar palestinez për agresion me thikë ndaj një hebreu ultraortodoks, në një ngjarje që është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Nir Barkat bëri të ditur se kishte urdhëruar shoferin e tij të ndalonte menjëherë, kur pikasi sulmin me thikë të agresorit pranë Bashkisë në qendër të qytetit, gjatë ditës së diel.

Pamjet filmike shfaqin kryebashkiakun ta qëllojë me grushte të dyshuarin, përpara se ta rrëzonte në tokë dhe një prej truprojave t’i drejtonte atij armën.

Viktima e sulmit, një 27-vjeçar, u transportua menjëherë në spitalin më të afërt, ndërsa policia arrestoi 18-vjeçarin palestinez si shkaktar të incidentit. Autoritetet kanë bërë të ditur se i dyshuari kishte hyrë ilegalisht në Izrael, përpara se të kryente sulmin.

Në një konferencë për shtyp pas ngjarjes, kryebashkiaku Barkat tha se ai dhe truproja e tij dolën nga makina dhe, pasi truproja i drejtoi armën agresorit… “ne arritëm ta mbanim të mbërthyer terroristin deri sa mbërriti policia”.

Ndërkohë, pamje të xhiruara me telefona celularë tregojnë se kryebashkiaku u përkul mbi të dyshuarin, teksa ky i fundit mbahej përtokë nga disa persona të pranishëm në vendngjarje.

Motivi i therjes me thikë nuk është bërë i qartë, por ky është incidenti i fundit i një serie sulmesh nga palestinezët kundrejt izraelitëve gjatë muajve të fundit.

Në janar, një palestinez i pajisur me një thikë sulmoi pasagjerët e një autobusi në Tel Aviv, duke plagosur 12 prej tyre, përpara se të qëllohej dhe të plagosej nga një oficer burgjesh, kalimtar i rastit.

Top Channel