Prishtinë, thellohet rasti i mbifaturimeve të energjisë

23/05/2015 00:00

Protestat e njëpasnjëshme për faturat e shtrenjta të energjisë elektrike të shoqëruara me dyshimet për funksionim jo të drejtë të orëve dixhitale që masin rrymën, duket se nuk kanë qenë krejt të kota.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur një hetim të thellë për këtë çështje ndaj rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, KEDS, bëjnë të ditur burime zyrtare.

Por prokurori i rastit, Hivzi Bajraktari nuk pranoi të flasë për këtë çështje duke bërë të ditur vetëm se bëhet fjalë për hetime disamujore.

Në të njëjtën kohë  Ministria e Tregtisë dhe Indsutrisë ka marrë vendim që njësorët elektrikë të kompanisë “Kohler” të hiqen nga përdorimi pasi nuk i plotësojnë kërkesat teknike dhe metrologjike.

Zëdhënësi i KEDS-it, Guri Shkodra tha se kompania ka pranuar vendimin e ministrisë dhe ndërkohë është e hapur për prokurorinë. Ai satësoi se nuk është KEDS që bën liçencimin e njesorëve, duke shtuar se këto janë më tepër probleme mes ministrisë dhe prodhuesit të objekteve.

“Jemi kontaktuar nga prokuroria, për çfarëdo çështje që jemi pytur kemi ofruar të gjitha informatat pa kurrfarë problemi, sepse ky është më shumë një problem mes prodhuesit direkt dhe ministrisë, sepse prodhuesit aplikojnë në ministri për leje dhe jo tek ne. Ne s’merremi me liçencim të prodhuesve. Jemi në pritje të çfarëdo vendimi dhe do ta respektojmë atë. Ne kemi pranuar vendimin e fundit, i cili ka ndaluar instalimin e njesorëve, edhe pse ne si KEDS kemi kërkuar gjatë gjithë vitit që kjo çështje të zgjidhet përgjithmonë”, deklaroi Shkodra.

Lidhur me problemet teknike që janë zbuluar në analizat laboratorike të Ministrisë së Tregtisë, zëdhënësi i KEDS thotë se ato nuk i dëmtojnë konsumatorët.

“Nga 238 teste që janë përformuar, 3 kanë dalë me defekt dhe asnjë prej tyre nuk ka të bëjë me njësim por ka të bëjë me çështje teknike dhe kurrësesi nuk ndodh të bëhet kalkulim i gabuar i energjisë elektrike te konsumatorët”, saktësoi Shkodra.

Por në këtë situatë konsumatorët duket se kanë filluar ta zgjidhin vet problemin. Aktori kosovar Rasim Thaçi kërkoi zyrtarisht nga KEDS që t’ia zëvendësojë njësorin. Ai ka dyshime se njësori i markës “Kohler” nuk e mat drejtë shpenzimin e energjisë elektrike.

Ndërkohë, në një komunikim përmes telefonit ministrja e Tregtisë, Hikmete Bajrami tha se nuk do të prononcohet deri në përfundim të hetimeve.

Janë rreth 25 mijë njësorë të prodhuesit “Kohler”, të cilët janë shpërndarë në familjet kosovare që nga viti 2009. Ndërsa ka edhe kompani të tjera të liçencuara pranë Ministrisë së Tregtisë, me të cilat KEDS-i ka filluar bashkëpunimin.

Top Channel