Mogherini anulon vizitën në Tiranë

23/02/2015 00:00

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini shmang Shqipërinë duke anuluar pjesëmarrjen e saj të parashikuar në takimin e shteteve pjesëmarrëse të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Burime pranë kabinetit të saj rrëfyen për TCH se, “ky anulim ësht bërë për motive logjistike”. Shefja e diplomacisë europiane, sipas programit, duhej të fluturonte në mbrëmje nga Sarajeva drejt kryeqytetit shqiptar.

Ajo ndodhet për një vizitë të parashikuar në Bosnje, ku duket se bisedat me drejtuesit më të lartë të tre komuniteteve etnike dhe takimet në Parlament po zgjasin përtej programit, duke rrëzuar planin e ardhjes së saj në Tiranë në mbrëmje.

Mogherini, sipas axhendës, duhej të merrte pjesë në darkën mikpritëse të Presidencës Shqiptare në Procesin e Bashkëpunimit të Europës Juglindore, si dhe të përshëndeste nismën rajonale të nesërmen, përpara se të largohej drejt Britanisë së Madhe.

Por tashmë konfirmohet se Përfaqësuesja e Lartë do të niset të martën nga Sarajeva drejt Londrës, ku pritet të mbajë një ligjëratë mbi sfidat aktuale të sigurisë dhe të diplomacisë së BE-së në Institutin Mbretëror për çështjet ndërkombëtare, Chatham House.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel