Sociologët: Aleancë qytetare kundër krimit

23/02/2015 00:00

Për sociologët duhet një aleancë mes shtetit dhe shoqërisë për të luftuar krimin. Gëzim Tushi, një ndër sociologët më të njohur në vend, duhet një konsensus kombëtar, një aleancë qytetare.

“Ne kemi nevojë për një konsensus kombëtar të të gjithë faktorëve, sidomos atyre politikë, që përfitojnë të nxjerrin kredite nga interpretimi apo trajtimi i ndryshëm i krimit. Krimi është një dhe e tillë duhet të jetë shoqëria për ta përballuar atë”, deklaron Tushi.

Ky nivel krimi, sipas profesor Tushit, po ngrihet për shkak të veseve sociale. “Përdorimi i zgjeruar i alkoolit, drogës, dembelizmi janë vese që çojnë në konflikte sociale, vjedhje e krime dhe për pasojë rritet intensiteti i këtij krimi në shoqëri”, nënvizon Tushi.

Për profesorin, dhuna tek të rinjtë dhe mungesa e tolerancës, të reflektuara edhe në shkolla, do të sjellin të tjera valë krimi në të ardhmen.

“Një rol të madh duhet të ketë shkolla, sepse kam përshtypjen se në shkolla po rriten të rinj të dhunshëm. Një pjesë e madhe e krimeve vijnë nga agravimi i dhunës dhe mungesa e tolerancës. Nevoja për transformimin e kësaj policie, jo vetëm asaj të Shtetit por edhe asaj komunitare, do të ndihmonte në zbulimin më të shpejtë të krimit”, thotë Tushi.

Në një apel për shoqërinë, profesor Tushi thotë se askush nuk duhet të bëjë indiferentin. “Askush nuk duhet të mendojë se duke qëndruar indiferent është i imunizuar prej krimit. Krimi prish shëndetin e shoqërisë dhe shoqëria është e përbashkët për të gjithë. Pa një shoqëri të shëndetshme nuk mund të jetosh një jetë të shëndoshë personale”, shton Tushi.

Top Channel