Tetor 2011) " /> Tetor 2011) ">

Shqipëria që po zvogëlohet nga një “pushtues” i ri

23/02/2015 00:00

“Barbaria vazhdon, vazhdon në të gjithë Shqipërinë, duke masakruar e grabitur çdo pjesë të saj. Struktura jo funksionale apo të korruptuara, shtetarë qëndrorë e lokalë që rrinë e vështrojnë, teksa Shqipëria tërhiqet, shqyhet e shkallmohet, sikur të jetë një rrobë e pavlerë”. (Tetor 2011)

Në vitin 2011, kur TCH denoncoi përparimin e jashtëzakonshëm të detit, askush nuk reagoi. Politika heshti, ndërsa makineritë e rënda vazhduan punën në shtretërit e lumenjve. Shfrytëzimi i tejskajshëm i tyre për të marrë inertet ka këputur zinxhirin natyror, që ruante ekuilibrin midis tyre dhe detit.

Të zhvatur e shkatërruar pa asnjë kriter, lumenjtë – të ndarë në dhjetra copash, mes gropëzash uji e përrenjsh të pafuqishëm – e kanë të pamundur të shkarkojnë materiale të gurta në bregdet. Rrjedhimisht deti ka nisur ofensivën e tij, duke pushtuar e mbuluar pa asnjë pengesë tokën, e ç’të gjejë përpara…

Pavarësisht ndërhyrjeve të fundit për të ndaluar shkatërrimin e shtretërve të lumenjve, realiteti i prodhuar pas mëse 20 e kusur vitesh është i frikshëm. Mjafton të udhëtosh edhe sot, në mjaft zona bregdetare.

“E nisim nga bregdeti i Semanit, ose më mirë ajo ç’ka mbetur nga plazhi i dikurshëm. Këtu, më shumë se kudo, mund të dallohet pushteti i detit mbi tokën, avancim i jashtëzakonshëm i tij në të gjithë zonën. Sa për shembull merret një depozitë e dikurshme uji. Ajo ngrihej rreth 300-350 metra nga deti, ndërsa sot është krejtësisht në brendësi të tij. E nuk mbaron këtu, sepse më tej ngriheshin edhe godina të tjera të kohës. Një lokal, ku qëndronin pushuesit, dhe kabinat për ta. E po ashtu një bunker i kohës së komunizmit, edhe ai i gjithi nën ujë. Pamjet janë vërtetë katastrofike dhe tregojnë për avancimin e jashtëzakonshëm të detit në të gjithë zonën”.

Godinave të tëra sot nuk u duket asgjë. Turistët e dikurshëm janë zëvendësuar nga banorët e rinj: peshqit…

Sipas një studimi të detajuar nga profesori i kësaj fushe, Spiro Boçi, gjithçka këtu është shkaktuar nga dy faktorë kryesorë. E para, marrja e rërës, që ka nisur diku në vitin 1992; dhe e dyta, e më kryesorja, ndërhyrja pa kriter në shtratin e lumit të Semanit.

Situata pritet të përkeqësohet me disafish, në momentin kur do të nisë funksionimin HEC-i i Kalivaçit, i cili do të frenojë edhe prurjet e gurta të lumit Vjosë, duke e zbuluar edhe më shumë këtë zonë, përballë presionit të detit. Vetëm gjatë 10 viteve të fundit, Semani ka humbur rreth 200 hektarë plazh, pyll dhe tokë.

Nga Semani, udhëtojmë në Golem të Durrësit, ku uji avancon me të paktën 2 metra në vit…

Në zonën e njohur si e “pishave të buta”, uji ka zhdukur tërësisht brezin e rërës, duke deformuar e hedhur poshtë edhe pllakat e mëdha të betonit. E njëjtë është situata edhe në “plazhin e vjetër”, apo zonën e njohur si “zona e Ilirisë”. Në këtë pjesë, sulmi i detit është shkaktuar nga ndërtimet pa kriter, gërryerja e Shkëmbit të Kavajës, si dhe dëmtimet e përrenjve të vegjël, që depozitonin inerte.

Sot, pallatet shumëkatëshe po ndiejnë çdo ditë ftohtësinë e ujit, një pjesë e tyre bodrumet i kanë të përmbytura. E megjithatë, ne shkojmë më tej, për nga veriu i bregdetit.

“Kalojmë në zonën e grykëderdhjes së lumit Erzen, në afërsi të fshatit Rrushkull të Durrësit. Hektarë të tërë janë nën ujë, ashtu si godina të vjetra e të reja. Për të kuptuar nivelin e masakrës, mjafton të shikosh sesa shumë ka gërmuar deti, sesa tokë ka marrë, apo të shikosh godina të ndryshme që thuajse duhet të qëndrojnë në ajër, sepse deti ka marrë tërësisht tokën poshtë këmbëve të tyre. E gjithë zona është e hapur, përballë një presioni të vazhdueshëm. Kjo panoramë është vërtetë treguesi më i qartë, sesa shumë ka avancuar dhe sesa shumë po vazhdon të avancojë deti, në të gjithë këtë pjesë”.

Masakra mbi lumin Erzen, kudo përgjatë shtratit të tij, ka dhënë sot një realitet të zymtë në Rrushkull. Një tokë që po shkon nën ujë, duke rrezikuar tashmë – siç thonë ekspertët – edhe Gjirin e Lalzit.

Diçka më tej, edhe në Qerret deti vazhdon të gllabërojë tokën, atje për shkak të dëmtimeve të shtratit të lumit Shkumbin. Përfundimi i mëse 20 viteve marrjeje inertesh është qindra metra tokë të zhytura, e gjithçka qëndronte mbi to.

Një bunker, që sot mund të dallohet vetëm nga sipër, dikur ka qenë mëse 300 metra nga deti. Sot është mëse 500 metra brenda tij, i zhytur nën ujë. Grafiku i shfaqur në video tregon se ku niste dikur brezi i rërës dhe ku ai nis sot. Drithëruese sesa shumë ka avancuar deti.

Lëmë pas Durrësin për të udhëtuar drejt Patokut. Shkatërrimi i shtratit të lumit Ishëm dhe të atij të Matit janë ndikuesit e drejtpërdrejtë në ndryshimet e mëdha që ka pësuar ajo lagunë.

“Rruga e dikurshme thuajse është zhdukur. Një pjesë e shtyllave të tensionit flluskojnë nën ujë, ndërsa kabinat, ku dikur qëndronin pushuesit e që ngriheshin rreth 400 metra nga uji, sot janë me këmbë brenda tij”.

Asgjë nuk ndryshon në Velipojë, ku brezi i gjatë i rërës e bën më të vështirë dallimin, por pjertësia e saj tregon tendencën e fortë të detit për të avancuar drejt tokës. Gjithçka e shkaktuar prej shkatërrimit të grykëderdhjes së Bunës.

Para viteve 1990, raporti mes tokës së fituar dhe asaj të humbur nga deti ka qenë 2,4 me 1; pra fitohej 2,4 metra dhe humbej vetëm 1 i tillë. Sot ky raport është tejkaluar në krahun tjetër. Çka do të thotë se kufijtë e Shqipërisë nuk janë më të njëjtët.

Vendi ynë, prej mëse 24 vitesh po zvogëlohet nën derdhjen e një pushtuesi të ri: detit. Tashmë natyra po rebelohet.

Top Channel