Entjana Osmënzeza, një mastershefe shqiptare në Firence

23/02/2015 00:00

Programi i ditës së sotme në “Pasdite” ishte i dedikuar kryesisht grave, për forcën dhe arritjet e tyre. Për gra që kanë bërë gjithçka, por edhe për gra që dominojnë në kuzhinë, pse jo edhe në emigracion, përkundër faktit që shumë prej nesh e dimë se shumica e mastershefave janë meshkuj në një punë që më së shumti u përket pikërisht grave.

Një grua e tillë, kuzhiniere e shkëlqyer në një vend që shquhet së tepërmi për kuzhinën, siç është Italia, apo më saktë rezidente në një qytet të shquar për kulturën, si Firence, ka qenë e pranishme në “Pasdite në Top Channel”, e bëhet fjalë për Entiana Osmënzeza.

Entiana ka emigruar në Itali vetëm 16 vjeçe, e nisur nga Berati, për t’ia nisur atje nga e para, por ka arritur t’ia dalë të bëhet e famshme. Fillimisht u vendos në Torino, nga ku dinte se duhej të fillonte një jetë të re, pa pasur përkrahjen e askujt, por pa ditur se çfarë pune duhej të bënte.

“E nisa si kuzhiniere, sepse është puna e parë që mund të gjejë një emigrant jashtë shtetit, madje edhe puna më e lehtë. Kur u bëra 19 vjeç, pasi përfundova edhe shkollën e Hotelerisë, kam punuar me shefat e mëdhenj të huaj, sidomos francezë, respekti i madh për të cilët më bëri të vendos: do të bëhesha edhe unë një shefe kuzhine”, ka thënë Entiana.

E rrethuar me dashuri që në moshë të vogël, gjë që mund të ketë qenë edhe forca shtytëse për t’ia dalë dhe për të qenë e suksesshme, Entianës nuk i ka munguar as përkrahja dhe dashuria e një personazhi shumë të famshëm për të gjithë ne, hallës së saj Tinka Kurti, e cila e surprizoi Entianën përmes një mesazhi video.

“Fëmijëria besoj se është themeli i gjithçkaje që mund të bëhet një njeri në jetë. Familja, edukimi, sjellja e prindërve me fëmijën, prania e të afërmve përbëjnë bazën themelore të së ardhmes. Për ne që kemi shkuar në emigracion, ngrohtësia familjare ka qenë gjëja kryesore që kemi pasur në mendje, pasi na mungonte fizikisht. Pra, nëse rritesh me dashuri dhe fiton një edukim të mirë, pasi edhe shkolla është shumë e rëndësishme, besoj se ke gjithçka për t’u bërë dikush në jetë”, tha Entiana.

“Ndoshta më kanë ndihmuar edhe historia e familjes sime, e veçanërisht ajo e gjyshes sime”, përmendi Entiana, teksa më pas nisi të fliste mbi atë se kur nisi për herë të parë të “dashurohej” me kuzhinën dhe sesa e rëndësishme ka qenë kuzhina në familjen e saj. Duke treguar se ka qenë një person që hante thuajse gjithçka gjente për t’u ngrënë, dhe se shpesh duhej t’ia fshije ushqimin pasi edhe mbingopej, Entiana vë theksin te cilësia e dikurshme e ushqimeve që vinin drejtpërdrejtë nga fshati apo prodhime bio, pa pasur nevojën e përdorimit të hormoneve. Gjithçka ka qenë e freskët.

Këtë tërheqje të veçantë ndaj kuzhinës nuk e kam kuptuar që në fillim, pasi kryesisht i vija rëndësi jetës sime, edukimit dhe disiplinës familjare, ndërsa ndienjën e veçantë për kuzhinën e kam kuptuar më vonë, kur u bëra e ndërgjegjshme se kjo duhej të ishte rruga ime e së ardhmes. “Unë jam kjo që jam, nuk kam për të ndryshuar dhe s’kam për të ndryshuar as të kaluarën time. Kjo do të jem për gjithë jetën, ndaj këtu do të fokusohem”, tha Entiana.

Sukses pa vuajtje dhe pa lodhje nuk ka, as pa sakrifica… “Kam sakrifikuar rininë time, shëndetin dhe gjymtyrët e mia. Kam sakrifikuar edhe vajzën që është brenda meje, sepse duke punuar në një ambient shumë mashkullor nuk mund të jesh femër, përndryshe i shpërqëndron. Ndaj duhet të përshtatesh, sepse mund të të thonë shumë thjeshtë: nëse s’ke aftësi për të punuar, atëherë përse rri këtu?”, deklaroi Entiana Osmënzeza.

Dobësitë fizike mes femrave dhe meshkujve në këtë profesion janë të ditura. Shumë e dinë se femrat kanë më shumë probleme me qarkullimin e gjakut, duke qëndruar në këmbë, krahasuar me meshkujt, por edhe dobësi shpirtërore si brishtësia dhe emocionaliteti i lartë, gjë që edhe i shprehim. “Duke punuar me meshkujt mësova ta kontrolloj pak veten, duke sakrifikuar kështu një pjesë të feminilitetit”.

Por jo vetëm kaq… Entiana ka rrëfyer se ka sakrifikuar edhe shumë nga gjendja ekonomike, e ndër të tjera ka përmendur faktin që nuk ka pasur asnjëherë në garderobën e saj këpucë me taka, pasi puna nuk ia lejonte këtë, i duheshin gjithnjë këpucë të rehatshme, të sheshta. Mbi të gjitha dihet që kur fillon punë në një vend të huaj duhet të kalosh së pari periudhën e stazhit, gjë që nuk paguhet por ti thjesht bën një investim për të ardhmen. “Më është dashur të punoj falas për 10-16 orë në ditë, nga ana tjetër më është dashur të jetoj, të paguaj qiranë, të paguaj shpenzimet e autobusëve dhe metrove. Ndaj, ditëve të pushimit kam punuar nëpër vende të tjera, por edhe me ato pak të ardhura që siguroja më duhej të kufizoja shumë vetëveten në shpenzime, pasi jetoja me studente të tjera në një shtëpi, dhe me ato të ardhura duheshin paguar dritat, ujin, gazin, ushqimin”.

Prej vitesh Entiana ka sakrifikuar shumë gjëra dhe është lodhur së punuari, por vjen një moment dhe asaj i shpërblehen të gjitha mundet. Emri i saj kishte spikatur dhe ishte bërë objekt diskutimesh mes qarqeve të profesionistëve. Ishin pikërisht vitet 2009-2010 kur në ambientet e punës kishte spikatur mes shefave të brendshëm të profesionit të saj. Ndërsa në vitin 2011, gazetarët dhe kritikët gastronomikë e çuan jehonën e emrit të saj në gjithë Italinë, por edhe në Europë.

Ka marrë pjesë në një program televiziv si “Hell’s kitchen”, një moment i rëndësishëm në karrierën e saj. “Ishte një shoë argëtues, sepse në fund të fundit kënaqeshim duke i parë të vuanim ata djem që donin të bëheshin personazhë të famshëm. Ua thoshim edhe troç: vuani edhe ju si ne, edhe pse për vetëm 2 muaj. E rëndësishme është të shikojmë se deri ku do mbërrini dhe sa mund të përballoni”, tregon Entiana. Sigurisht që gjërat duken të lehta kur të ecin mirë, por njeriu i vërtetë duhet ta shfaqë veten aty kur gjërat shkojnë keq, pasi aty duket forca e personalitetit.

Më pas Entiana ka treguar se kuzhinieri apo mastershefi më i mirë shqiptar në botë është Rene Rexhepi, të cilin ajo e ka njohur dhe e ka takuar. Madje ka punuar në restorantin e tij gjatë një stazhi për të parë sesi gatuhej në restorantin, që ajo e konsideron si më të mirin në botë. “Asgjë e vështirë, por njëkohësisht edhe aspak e lehtë”.

Pavarësisht famës që ka marrë dhe kërkesave gjithnjë e në rritje për ta pasur Entianën si pjesë e shumë kuzhinave, ajo ka theksuar se s’duhet humbur asnjë objektivi primar, apo më saktë “restoranti yt”, rekomandon mastershefja e famshme shqiptare në Firence dhe jo vetëm, duke iu referuar jo restorantit në pronësi, nëse do kihet një i tillë, por edhe atij ku punon. Ajo ka rrëfyer se ka disa kuzhinierë që i ka “stërvitur dhe rritur” vetë, të cilët i mban gjithnjë pranë kudo ku shkon. “Ata, pas çdo gatimi, tregojnë fytyrën e tyre në radhë të parë, e më pas respektojnë dhe mbajnë të fortë besimin tim. Dihet se nuk ka gjë më të keqe sesa kur humbet besimin e dikujt”.

Por a ka xhelozi mes mastershefave? “Po, ka shumë xhelozi, si në çdo fushë tjetër, por duke qenë se femrat janë në pakicë në këtë profesion, meshkujt fillimisht nuk na vënë shumë rëndësi. Mendojnë, hajde më se femër është në fund të fundit dhe nuk krijon asnjë problem për mua. Megjithatë, edhe kur ti fillon e ngrihesh, duan apo s’duan ata nisin edhe të respektojnë, sepse është si diçka që dukej e pamundur që u bë e mundshme. Askush në të njëjtin nivel nuk bën krahasime me ty, por mësuesit apo mjeshtrit në fakt mund të xhelozojnë disi. Po është e vërtetë që edhe mjeshtri që më ka mësuar mua është bërë xheloz, megjithatë ai është mjeshtri im dhe i tillë ka për të mbetur”, tregon Entiana, e cila ka theksuar edhe një aspekt tjetër të “shtrëngimit” të një “brumi të mirë”. Duke u shprehur e hapur dhe e lirshme për nxënësit e saj, Entiana ka thënë se dikur mësuesit e vetë e mbanin të shtrënguar, në mënyrë që ajo të mos u ikte. Por një vendim i tillë bën që në një të ardhme, nëse nxënësi vendos të ikë e bën përgjithmonë. Përkundrazi, nëse i lë të lirë të bëjnë ç’të duan, edhe nëse iu hap derën për t’u larguar, ata gjithmonë do të mendojnë të rikthehen një ditë.

Por cili është “çelësi magjik” i meshkujve, që i bën ata të mbizotërojnë në këtë fushë? Entiana thekson se “është pikërisht rezistenca më e madhe e tyre ndaj një lodhjeje raskapitëse”. Edhe pse ata kanë marrë frenat e kësaj fushe në duar, duke theksuar se janë pikërisht femrat që mësojnë që në vogëli sesi të gatuajnë nga nënat e tyre, Entiana shprehet se meshkujt nuk mund ta arrijnë kurrë nivelin e hollë të elegancës që mund të arrijë një femër në kuzhinë. Detajet nuk mund t’i mbërrijë dot një mashkull, pasi është veçanti dhe natyrë e femrave.

A i ka ndodhur ndonjëherë Entianës që të mos i pëlqejë ajo që ka gatuar? “Po, ka ndodhur. Dhe çfarë kam bërë në ato raste? I kam hedhur të gjitha tutje dhe ia kam nisur nga e para. Jam e fiksuar pas çdo detaji dhe nëse do të më duhet të rrezikoj e bëj. Më mirë të presin disi dhe të konsumojnë diçka të mirë, që t’ia vlejë, sesa të jenë të paduruar dhe të hanë diçka jo të mirë sa duhet”.

“Një kuzhinier i mirë duhet të jetë edhe shijues i mirë”, thotë Entiana në përfundim, duke shtuar se ajo “nuk ka aspak besim te kuzhinierët e dobët, ndoshta edhe jo të shëndoshë, por të mesëm”. Kjo sepse çdo ditë dora ndryshon, mendimet ndryshojnë dhe asnjëherë nuk mund ta dish që s’ke nevojë të provosh diçka. Pjata më e preferuar e saj, apo linjë produktesh, është “Tournedos alla Rossini”, tipike italiane dhe shumë e shijshme.

Top Channel