Greqia prezanton planin e reformave: tatim i drejtë, luftë evazionit

23/02/2015 00:00

Pas publikimit në mediat greke, lista e shumëpërfolur që do të paraqitet mëngjesin e së martës tek 18 ministrat e Eurozonës, me reformat që Athina zotohet të zbatojë sipas marrëveshjes së zgjatjes së borxhit me katër muaj të tjerë, është konfirmuar edhe nga Qeveria greke.

Në këtë listë përfshihen masa me vlerë 7.5 miliardë euro që kanë të bëjnë me përballimin e krizës humanitare, si dhe me reformat me karakter financiar që përfshijnë: një sistem të drejtë tatimi, luftë ndaj evazionit fiskal, korrupsionit, kontrabandës së cigareve dhe karburanteve, rikonstruksioni i sektorit shtetëror dhe lufta ndaj burokracisë.

Lista ka gjasa të marrë menjëherë aprovimin e kreditorëve të martën në mbrëmje, me një telekonferencë të ministrave të Eurogrupit dhe më pas në disa parlamente europiane, por nuk përjashtohen edhe pengesa të mundeshme.

“Ekzistojnë shumë hollësi që grekët mund të propozojnë. Askush nuk e di se çfarë efekti do të ketë në fund dhe për këtë arsye nuk duhet të presim shifra të mira apo të këqija tani dhe kjo është ajo që ka rëndësi në këto momente për Eurogrupin”, deklaroi Daniel Gros nga Qendra për Politikat Europiane.

Kreu i KE, Jean Claude Juncker ka ripërsëritur se Greqia do të mbetet në Eurozonë, por duke zbatuar me përpikmëri programin, ndërsa zëdhënësi i qeverisë gjermane ka deklaruar në orët e fundit se mund të gjendet një zgjidhje për çështjen e Athinës.

Në Greqi, pavarësisht se ka një dyjëzim të qytetarëve për mënyrën e negocimit të qeverisë Tsipras, shumica besojnë se Berlini ka qenë edhe njëherë tepër i ashpër me Athinën.

“Qëndrimi i Gjermanisë ndaj Greqisë gjatë negociatave ishte shumë negativ, armiqësor do të thosha. Ajo provoi çdo mënyrë për të zbatuar bindjet e saj dhe hegjemoninë e saj mbi Europën. Atë që Gjermania nuk arriti të bënte gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore po përpiqet ta bëjë tani, duke përdorur luftën ekonomike”, thotë karikaturisti Dimitris Papas.

Ndërkohë që kryeministri Tsipras përpiqet të mbajë në listën e masave disa prej premtimeve elektorale, mbi 5 personalitete të shquara nga e majta greke, midis tyre edhe kompozitori Mikis Theodhorakis, e kanë akuzuar atë se nuk po i permbahet programit për të cilin e votuan grekët më 25 janar.

Athina zyrtare përpiqet të shohë gotën gjysmë të mbushur, të paktën për katër muajt në vazhdim, të cilët janë quajtur nga shtypi grek si “120 ditët e reanimacionit”.

Shpresa e saj është të marrë sa më parë dritën jeshile të huadhënësve, në mënyrë që edhe të ndalojë hemoragjinë bankare, pasi vetëm javën e kaluar fluturuan nga bankat greke mbi 3 miliardë euro.

Top Channel