Bushati pret Hundis: Do punojmë për t’i zgjidhur problematikat

23/02/2015 00:00

Nikos Hundis, zëvendësministri i Jashtëm i Greqisë është zyrtari i parë i lartë grek i qeverisë Tsipras që viziton vendin tonë.

Në një takimi të zhvilluar pasditen e së hënës me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati mësohet se është diskutuar për një sërë çështjesh të hapura mes dy vendeve, përfshirë këtu edhe atë më të fundit: devijimit të lumit Vjosa.

Pas takimit, zv.ministri Hundis nuk ka pranuar të prononcohet për mediat. Ndërkaq, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, i pyetur lidhur me këtë çështje ka deklaruar: “Do të vazhdojmë punën për t’i zgjidhur problematikat, jo për t’i shtuar”.

Këtë deklaratë ministri Bushati e bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij turk Mevlut Cavushollu, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të Samitit të Ministrave të Jashtëm të vendeve të procesit të bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Nga ana e tij, ministri turk, veç konfirmimit të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve, deklaroi dhe ngritjen e marrëdhënieve në një tjetër nivel.

“Marrëdhëniet tona janë shumë të mira, si në fushën politike, ekonomike e kulturore. Ne duam që këto marrëdhënie, të cilat po thellohen gjithnjë e më shumë, t’i ngremë dhe në mënyrë institucionale duke ngritur Këshillin e Partneritetit Strategjik, ashtu siç i ka hije të dy pupujve tanë”, tha Cavushollu.

Pasditen e së hënës, Bushati pati takime bilaterale dhe me disa ministra të tjerë të cilët janë pjesë e këtij samiti.

Top Channel