Putin: S’ka gjasa për luftë në Ukrainë. Nuk do të doja të ndodhte

23/02/2015 00:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një interviste për një televizion vendas, ka thënë se nuk ka gjasa që të ketë luftë me Ukrainën fqinje.

Putin theksoi gjithashtu mbështetjen e tij për marrëveshjen e Minskut, si rrugën më të mirë të mundshme për të stabilizuar Ukrainën lindore. Ukraina ka thënë vazhdimisht se ka prova të qarta që Rusia po ndihmon rebelët në lindje, diçka që Moska e mohon.

Më herët, ushtria ukrainase bëri të ditur se bombardimet e rebelëve e bëjnë të pamundur tërheqjen e armatimeve të rënda nga vija e fronit, sa u përket forcave qeveritare.

Në intervistën e tij, Putin u pyet nëse ekziston ndonjë kërcënim real për shpërthimin e një lufte, duke parë situatën në lindje të Ukrainës. “Mendoj se një skenar kaq apokaliptik nuk është i mundshëm dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë”, u përgjigj ai. Putin shtoi se nëse marrëveshja e Minskut do të implementohej në tërësi, Ukraina lindore do të “stabilizohej gradualisht”.

“Europa është po aq e interesuar për qëndrueshmërinë atje sa dhe Rusia. Askush nuk kërkon konflikte shumë pranë Europës, e aq më tepër një konflikt të armatosur”, përfundoi ai.

Top Channel