Libi, pezullohen bisedimet për paqe

24/02/2015 00:00

Parlamenti i Libisë i njohur nga ndërkombëtarët ka pezulluar pjesëmarrjen në bisedimet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për rivendosjen e paqes në vend.

Një zëdhënës i Dhomës së Përfaqësuesve është shprehur se vendimi për tërheqje nga bisedimet është marrë pas bombardimeve vetëvrasëse të së premtes së kaluar në Libi, ku humbën jetën të paktën 40 persona. Ai ka thënë se qeveria rivale nuk e kishte dënuar sulmin e ndodhur. Vendi ndodhet në një gjendje kaosi pasi të dyja palët konkurrojnë për legjitimitet.

Agjencia shtetërore e lajmeve, “Lana” konfirmoi të hënën tërheqjen e njërës prej palëve nga bisedimet në Marok, të cilat do të zhvilloheshin nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.  

Një deputet, duke folur në kushte anonimiteti, tha se vendimi është marrë nga frika për një presion të mundshëm nga ndërkombëtarët për të përfshirë islamikët në një qeveri të ardhshme të unitetit.

Shtetet e Bashkuara i kërkuan zyrtarëve libianë që të rishqyrtojnë vendimin e tyre, duke paralajmëruar për pasoja serioze nëse bisedimet nuk do të zhvillohen.

“Ne përsërisim thirrjen tonë për të gjitha palët në Libi për të marrë pjesë në dialogun politik të udhëhequr nga OKB-ja. Ata që nuk do të marrin pjesë kanë përjashtuar veten nga diskutimet që janë kritike për luftën kundër terrorizmit si dhe të paqes së përgjithshme, sigurinë dhe stabilitetin e Libisë”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki.

Top Channel