Francë, Hollande: Do të luftojmë çdo gjurmë të antisemitizmit

24/02/2015 00:00

Presidenti francez, Francois Hollande ka paraqitur një seri propozimesh për të përforcuar ligjet kundër krimeve me motive anti-semite, raciste dhe homofobike.

Duke folur në një darkë me përfaqësues të komunitetit hebre, Hollande i siguroi ata se janë të mirëpritur dhe të sigurt në Francë. Ai vuri gjithashtu në dukje se edhe myslimanët e Francës po ndodhen nën një valë në rritje sulmesh.

Propozimet e presidentit vijnë pas ngjarjeve të muajit të kaluar kur 17 persona humbën jetën në sulmet ndaj redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe në një supermarket në lagjen hebraike të Parisit. Që prej atëherë Franca është në gjendje të lartë gatishmërie.

“Ne duam sanksione më të shpejta dhe më efikase ndaj fjalimeve që përmbajnë tone urrejtjeje”, deklaroi Hollande në takimin e mbajtur.

Disa qindra varre hebraike janë përdhosur në lindje të Francës më herët gjatë muajit, ndërkohë që edhe grupet myslimane franceze janë bërë objekte të sulmeve islamofobike pas ngjarjeve në “Charlie Hebdo”.

Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, fjalimi i presidentit Hollande u mbulua nga hija e një përplasjeje mes krerëve të komunitetit hebre dhe atij mysliman të Francës.

Një grup mysliman bojkotoi darkën e organizuar nga presidenti pasi një figurë e njohur hebraike deklaroi se praktikuesit e Islamit ishin përgjegjës për të gjitha krimet e dhunshme.

Gjithashtu, reagimet e fundit vijnë pasi autoritetet franceze konfiskuan pasaportat e 6 shtetasve ditën e hënë, që kishin planifikuar të udhëtonin për në Siri, me shumë gjasa për t’iu bashkuar luftës së xhihadistëve.

Top Channel