SHBA-Kore e Jugut njoftojnë stërvitjen e përbashkët vjetore

24/02/2015 00:00

Shtetet e Bashkuara dhe Korea e Jugut kanë njoftuar se stërvitjet e përbashkëta vjetore do të fillojnë më 2 mars, një veprim ky që pritet të acarojë Penianin.

Stërvitjet, të koduara me emrat “Zgjidhja Kyçe” dhe “Shqiponja e Vogël”, gjithmonë kanë gjeneruar tensione në gadishullin Korean.

Seuli dhe Uashingtoni i cilësojnë stërvitjet të një natyre mbrojtëse, ndërsa Korea e Veriut i quan një paralajmërim për pushtim.

“Zgjidhja Kyçe” është një stërvitje pjesërisht e simuluar përmes kompjuterit që zgjat 12 ditë, ndërsa “Shqiponja e Vogël” zgjat 8 javë.

Në këtë të fundit përfshihen disa dhjetëra mijëra trupa, me mbështetje nga ajri, deti dhe terreni. Në një deklaratë, Komanda e Përbashkët Ushtarake e dy vendeve bëri me dije se Korea e Veriut ishte njoftuar për stërvitjet.

Shtetet e Bashkuara kanë pasur trupa të vendosura në Korenë e Jugut që nga përfundimi i Luftës Koreane. Konflikti përfundoi në një armëpushim më tepër sesa një marrëveshje paqeje dhe dy Koretë teknikisht mbeten ende në luftë.

Në janar Veriu deklaroi se do të ofrojë një moratorium për testimet bërthamore nëse stërvitjet e përbashkëta do të anuloheshin, por SHBA e refuzuan këtë propozim duke e cilësuar një “kërcënim të nënkuptuar”.

Nga ana e tij, Veriu ka kryer tre teste bërthamore, në vitet 2006, 2009 dhe 2013. Bisedimet 6-palëshe që synojnë dhënien fund të programit të saj bërthamor janë bllokuar që prej vitit 2009.

Stërvitjet e dy vjetëve më parë sollën tensione, me Penianin që kërcënoi me sulme dhe vendosjen e një vije ushtarake me Jugun, ndërsa ato të 2014-s kaluan qetësisht.

Top Channel