Netanyahu-Mossad, qëndrime të kundërta për Iranin

24/02/2015 00:00

Shërbimet sekrete izraelite nuk ndanin të njëjtin mendim me kryeministrin Benjamin Netanyahu, se Irani ishte një vit larg ndërtimit të bombës bërthamore.

Kështu sugjeron një mesazh sekret i publikuar së fundmi. Në vitin 2012, Netanyahu deklaroi se Irani duhej ndalur, duke thënë në OKB se vendi mund të prodhonte bombë bërthamore vetëm një vit më vonë.

Por një raport i Mossadit thoshte se Irani nuk po performonte aktivitetin e duhur për të prodhuar armë të tilla, sugjerojnë dokumentet e publikuara në edicionet online të “Al Jazeera” dhe “The Guardian”.

“Edhe pse Irani ka akumuluar uranium të pasuruar të nivelit të ulët, vendi duket se nuk është ende gati për ta pasuruar atë në nivele të tjera të nevojshme për armë bërthamore”, thoshte agjencia e spiunazhit.

Një zyrtar izraelit tha se mes raportimeve të dy mediave nuk ka pasur mospërputhje. Raporti i Mossadit është pjesë e një grupi dokumentesh që i kanë kaluar televizionit arab dhe së përditshmes britanike sipas stilit të Wikileaks.

Ato përmbajnë kryesisht të dhëna për shkëmbim informacionesh mes shërbimeve sekrete të Afrikës së Jugut dhe agjencive homologe të vendeve të tjera.

Disa mesazhe sugjerojnë: CIA u përpoq të krijonte kanale të fshehta komunikimi me grupin palestinez Hamas, pavarësisht se zyrtarisht ndaloi çdo kontakt me të;

Afrika e Jugut monitoroi persona të dyshuar si agjentë iranianë nën presionin e administratës amerikane;

Shërbimet sekrete britanike i kërkuan ndihmë Afrikës së Jugut që të rekrutonte një agjent koreano-verior.

Top Channel