Ushtari britanik: Luftëtarët e ISIS, frikacakë të droguar

24/02/2015 00:00

Luftëtarë të etur për gjak, egërsira të pamëshirshme, barbarë që sfidojnë civilizimin perëndimor me tehun e thikës në fytin e pengjeve të pambrojtur. Ka shumë mënyra për të përcaktuar xhihadistët e ISIS-it nisur nga veprimet e tyre.

Por ushtari britanik Jamie Read, që ka luftuar kundër ekstremistëve në krah të peshmergave, del me një pretendim befasues. Ithtarët e Shtetit Islamik, sipas tij, nuk janë aspak ashtu siç i mendojmë ne.

Në fakt, nga pohimet e 25-vjeçarit rezulton krejt e kundërta. Militantët gjakatarë që shohim në videot e ekzekutimeve të tmerrshme nuk janë veçse ca punëtorë e fshatarë të çorganizuar, të cilëve u kërkohet të bëjnë diçka dhe binden qorrazi e përpos kësaj, janë aq të tmerruar nga lufta e nga vdekja sa gjatë gjithë kohës dënden me lëndë narkotike.

Read i hedh poshtë pretendimet për disiplinë të hekurt dhe një organizim perfekt të Shtetit Islamik. Ai këmbëngul se bëhet fjalë thjesht për një grup civilësh të zakonshëm nga zona të ndryshme të përfshira në konflikte, të cilëve u duhet të luftojnë.

“Nuk kanë zgjedhje tjetër, nuk kanë informacion e as lidership të qartë. Shume prej tyre dënden me drogë sepse kanë frikë”, shprehet 25-vjeçari.

Por mungesa e disiplinës nuk është fenomen që karakterizon vetëm ISIS. Edhe luftëtarët peshmerga, në krah të të cilëve Read ka luftuar në Siri, nuk ecin me një plan të mirëorganizuar.

“Dikush thotë: shkojmë këtej! Dhe ata andej shkojnë dhe hidhen në betejë pa u menduar gjatë. Ndryshimi me kundërshtarin është se nuk kanë frikë nga ISIS”, pretendon ushtari britanik.

Dhe kjo, sipas tij, për shkak se në luftën e tyre peshmergatë kanë një qëllim: mbrojtjen e familjeve dhe shtëpive të tyre.

Top Channel